BANGLADESH - Është hapur në Bangladesh revista e parë për komunitetin e homoseksualëve, në përpjekje për të nxitur pranimin e kësaj kategorie nga shoqëria.

Revista me 56 faqe ka dalë në treg zyrtarisht ditën e shtunë(18.01.2014) në kryeqytetin Daka. Në inaugurimin e revistës morën pjesë anëtarë kryesorë të komunitetit homoseksual dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

"Ky është një hap i madh përpara për njerëzit që i përkasin komunitetit LGBT", tha redaktori i gazetës.

reviste per homoseksuale ne bangladesh

Ai shtoi se qëllimi i hapjes së kësaj reviste është edhe ndërgjegjësimi i popullsisë, në mënyrë që shoqëria të ketë më shumë tolerancë ndaj homoseksualëve dhe lezbikeve, duke shpresuar që për këtë të ndikojnë edhe tregimet që do të publikohen në revistë.

Shumë homoseksualë dhe lezbike në Bangladesh shpesh pretendojnë se vuajnë nga diskriminimi i shoqërisë, ku seksi mes të njëjtës gjni është i neveritshëm.

Shumë prej tyre kanë pohuar se janë të detyruar të fshehin identitetin e tyre dhe bëjnë një jetë të dyfishtë seksuale nga frika e reprezaljeve në vend.


(v.gj/shqiptarja.com)