Është hapur zyrtarisht sistemi për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025). Dorëzimi i DIVA bëhet përmes llogarisë personale në e-Filing, dhe afati përfundimtar është 31 mars 2026.
Në këtë deklaratë që gjenerohet e paraplotësuar në sistemin online të tatimeve e-filing, qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë për zbritjet tatimore, jo vetëm të kompensimit prej 48 mijë lekësh, por edhe për shpenzimet për arsimimin e fëmijëve.
Detyrimin për të dorëzuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA) e kanë të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto mbi 100 mijë lekë në muaj ose 1.2 milionë lekë të ardhura në vit. Po ashtu deklarata është detyrim edhe për të dy punësuarit, dhe për të gjithë ata individë që kanë realizuar gjatë 2025-ës të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim. Të ardhura këto që mund të jenë fituar edhe nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking, AirBNB etj.
Për herë të parë këtë vit, nga baza e tatueshme e prindërve me fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë shumën 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.
Konkretisht të gjithë qytetarët me fëmijë nën 18 vjeç, dhe që kanë të ardhura vjetore më pak se 1.2 milionë lekë (12 mijë euro) mund të zbresin nga baza e tatueshme edhe shpenzimet për arsimin e fëmijëve deri në vlerën maksimale 100 mijë lekë. Por për të përfituar këtë zbritje prindërit duhet të kenë të ruajtura faturat e shpenzimeve të kryera vjet, për tarifa shkolle, pagesa kursesh etj.
Por edhe qytetarët e tjerë që nuk i kap detyrimi i DIVA-s, pra nuk e kanë pagën 100 mijë lekë në muaj, apo nuk janë të dy punësuar, duhet të aplikojnë për të përfituar kompensimin për fëmijën nën 18 vjeç dhe shpenzimet arsimore.
Komente











