Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Rama: Element sigurie për Ballkanin e kërcënuar jo pak nga Rusia! Wisner i SHBA-së: Faktor për stabilitetin

BERAT- Shqipëria rihapi sot (4 mars 2024) bazën ajrore të Kuçovës e cila tani do të jetë bazë taktike dhe operacionale e Aleancës.

 Të parët që u ngritën në ajër duke dhuruar spektakël në qiellin e Kuçovës ishin avionet. Dy F35, dy F16 dhe dy Eurofighter demonstruan kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë.  Më pas u ngritën dronët Bayraktar, që u sollën pak ditë më parë nga Turqia. Për herë të parë në ajër edhe dy helikopterët e rinj ‘Black Hawk’

Pas përfundimit të investimeve që zgjatën rreth 2 vite dhe kushtuan 50 milionë euro, sot u inagurua, baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë.  Aty ishte edhe Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet.

“Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar. Kuçova tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor' tha Stacy. A. Cummings

E gjithë ceremonia ku së bashku me personalitetet politike, ishin drejtues të strukturave dhe ushtarakë të lartë të vendeve partnere të Aleancës, atashetë ushtarakë, është vëzhguar nga avioni ushtarak i SHBA, i nisur nga Britania e Madhe, dhe që ka fluturuar mbi detin përballë Vlorës.

Foto:Ceremonia e bazës vëzhgohet nga avioni ushtarak i SHBA

Hapjen e bazës së re të aleancës, kryemistri Edi Rama e cilësoi si një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili nuk mbetet i parrezikuar nga kërcënimet ruse.

"Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse" tha Edi Rama. 

Ministri i Mbrojtjes së Italisë Gudiot Crostton, të cilin Rama e falenderoi posaçërisht, kishte ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete.

"Horizonte të tjera bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë na presin. Rroftë Shqipërisë” tha Crostton

Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit, Rama u ndal dhe tek planet për ndërtimet e Bazës Ajrore të Detare të NATO-s në Porto Romano.

"Kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n"

Të  pranishëm në ceremoni ishin Gjeneral Pablo Sanchez De Lara, Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Gyler, i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, David Wisner

“Nëse hedhim sytë rreth nesh është e dukshme që Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen” tha gjeneral Pablo Sanchez De Lara

 “Urojmë që baza ajore e Kuçovës të jetë ogur i mirë për Shqipërinë dhe aleancën”  tha ministry turk i Mbrojtjes, Yasar Gyler

“Ky është një gur kilometrik  në përkushtimin e Shqipërisë ndaj parimeve të NATO” tha David Wisner

 Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Arben Kingji ishin hapësit e kësaj ceremonie të rëndësishme

Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s” tha ministri Peleshi

“Kjo bazë do të luaj një rol për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor i aleancës' u shpreh gjeneral Kingji.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i fundit në rendin e fjalimeve, u shpreh se rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit tonë.

 “Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar” tha Begaj.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90, dhe tashmë ajo do të rikthehet sërish në punë. Rindërtimi nisi në janar të vitit 2022 pas vendimit të NATO-s marrë në 2018.  Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Pak ditë më parë në bazë u montuan edhe 3 dronët e armatosur ‘Bayraktar’, të blerë në Turqi. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:59
Reuters: Shqipëria e kujdesshme ndaj Rusisë, rihap bazën ajrore të epokës sovjetike për NATO-n

1709586321_nato.JPG

Reuters” i ka kushtuar një artikull hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë me titull “Shqipëria, e kujdesshme ndaj Rusisë, rihap bazën ajrore të epokës sovjetike për NATO-n”.

“Shqipëria ky vend anëtar i NATO-s, që nuk ka avionë luftarakë të sajat, hapi të hënën një bazë ajrore të rindërtuar të epokës sovjetike”.

NATO ka shpenzuar mbi 50 milionë euro (54.26 milionë dollarë) në bazën ajrore të Kuçovës për të forcuar praninë e saj në rajon. Hapësira ajrore në vendin Adriatik të Shqipërisë, që kufizohet me Greqinë në jug dhe Malin e Zi në veri, mbrohet nga Italia dhe Greqia, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Baza ajrore është e vendosur në qytetin e vogël të Kuçovës, i njohur dikur si “Qyteti i Stalinit”, kur MIG-të e prodhimit sovjetik dhe kinez ishin në gatishmëri për urdhra për t’u përplasur në rastin e një lufte me Perëndimin që nuk ndodhi kurrë.

“Objektivat e mundshëm atëherë ishin Austria, Gjermania, Italia dhe Danimarka. Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe për fat Shqipëria është në anën tjetër”, tha Rama.

Ora 18:19
Hapja e bazës së Kuçovës, ambasada e SHBA: Shqipëria, e palëkundur ndaj parimeve të NATO-s

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroi sot Shqipërinë për inaugurimin e bazës së parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

"Urime Shqipërisë për inaugurimin e bazës së parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Ky gur kilometrik ilustron përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë duke iu kundërvënë kërcënimeve përmes parandalimit dhe mbrojtjes", shkruan ambasada.

I Ngarkuari me Punë David Wisner iu bashkua Presidentit Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë dhe të NATO-s gjatë ceremonisë së hapjes sot në Kuçovë. Wisner përgëzoi angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e ushtrisë së saj dhe përmbushjen e angazhimeve thelbësore të mbrojtjes të NATO-s si mburojë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

"Si aleatë në NATO, ne qëndrojmë të bashkuar dhe të fortë".

 

Ora 17:51
Inaugurimi i bazës së NATO-s në Kuçovë jehonë në mediat ndërkombëtare (FOTO)

1709571549_nato.JPG

Mediet ndërkombëtare kanë pasqyruar përmes fotove inaugurimim e bazës ajrore të NATOS në Kuçovë.

AP përmes fotove të Armando Babanit dhe agjencia Reuters, përmes imazheve të shkrepura nga Florion Goga.

Ora 11:23
Baza e NATO-s në Kuçovë, gjenerali turk: Shqipëria partner strategjik për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

 

Gjenerali turk Göksel Kahya në hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë tha se kjo bazë do jetë një kontribut për aleancën në sigurinë rajonale dhe globale. Ai tha se Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe strategjik në Ballkan, për paqen dhe stabilitetin e përhershëm.

“Urojmë që baza ajrore e Kuçovës të jetë një ogur i mirë për shqip dhe aleancën. Shqipëria është zhvilluar pothuajse në çdo fushë vitet fundit. Mes nesh ekziston një miqësi, kjo është një lidhje vëllazërie. Marrëdhëniet janë në nivelin më të lartë. Vendet tona kanë bashkëpunim të shkëlqyer në disa fusha, doemos në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Marrëveshja ushtarake që nënshkruam së fundmi konsiderohet e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Turqia e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm dhe strategjik në Ballkan, për paqen dhe stabilitetin e përhershëm. Inaugurimi i kësaj baze është një hap i rëndësishëm në nivelin strategjik për sigurinë  e Shqipërisë dhe NATO-s. Baza ajrore e Kuçovës do jetë kontribut për aleancën në sigurinë rajonale dhe globale. Do jetë avantazh me rëndësi në veprimtaritë ajrore të NATO-s”, tha ai.

Ora 11:17
Baza e NATO-s në Kuçovë, ministri i italian i Mbrojtjes: Mesazh i qartë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes

 

Ministrit Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto mori pjesë në ceremoninë hapëse të bazës së NATO-s në Kuçovë. Ai e vendosi fokusin e fjalës së tij në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa tha se kjo bazë është mesazh i qartë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes.

“Kremtojmë sot një moment domethënës që shënon njëherësh një pikarritje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, një pikë kthese për Ballkanin Perëndimor. Përurimi i bazës, fryt i një rruge aspak të lehtë, mbërrin në një moment ndryshimesh të thella në arenën ndërkombëtare. Tregon angazhimin e Shqipërisë krah Italisë, një vend që ndajmë lidhje të thella historike, miqësie, përveç fqinjësisë gjeografike. Rrugëtimi drejt demokracisë i Shqipërisë nisi vite më parë që e bëri të anëtarësohej në Këshillin e Europës në ‘95 dhe në NATO-s në 2009. Një rrugëtim që ka tipare të përbashkëta me Italinë. Shqipëria është një shtyllë solide dhe sistemi vlerash, Italia që e ka mbështetur me forcë vendimin për anëtarësim në BE. Gjesti që bën Italia është shenjë e një miqësie të thellë, shenjë e vullnetit për të ndërtuar një bashkëpunim më të fortë në çdo fushë. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është shtyllë themelore në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një mbështetje e ndërsjellë e jona që shfaqet përmes stërvitjeve të përbashkëta, e veprimtarisë të shkëmbimit në çdo nivel. Përurimi i bazës nuk është vetëm një pikëmbërritje e arrirë por një pikënisje për bashkëpunime në të ardhmen. Në një kohë që karakterizohet nga pasiguria dhe sfida komplekse, e sotmja është mesazh i qartë, bazë për të përballuar sfida të së tashmes dhe të ardhmes”, tha ai.

Ora 11:12
Baza ajrore e Kuçovës/ Nikolla: Një popull që ka provuar mungesën e lirisë bën gjithçka për mbrojtjen e saj

1709547248_no9kp.JPG1709547249_no9kp.JPG

U hap sot zyrtarisht baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë.

"Një popull që ka provuar mungesën e lirisë bën gjithçka për mbrojtjen e saj.  Ne kemi të drejtë të krenohemi se SHBA e partner të tjerë të mëdhenj, anëtarë historikë të NATO-s kanë krijuar bindjen se nëse ka një vend anëtar të ri të aleancës që mbështet qartësisht vendosmërisht e padilemë vendimet e saj është Shqipëria. Edhe Kuvendi ka dëshmuar besnikërinë ndaj kësaj vlere" tha kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla.

Ora 11:07
Rama: Po punojmë që porti detar i Porto Romanos do të jetë një bazë e NATO-s

 

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në inaugurimin e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë tha se po punojnë me NATO-n që së shpejti të mund t’i gëzohen lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës.

‘Falënderim i posaçëm atyre që kontribuuan duke filluar nga aleatët tanë të NATO-s. Me shpresën dhe besimin se kjo bazë e re do të shoqërohet nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romane gjë për të cilën po punojmë me NATO-n dhe se shpejti do të mund ti gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. Falënderim i posaçëm për të gjitha Forcave tona të Armatosura.’- tha Rama.

Ora 11:07
Baza e NATO-s në Kuçovë, Begaj: Shqipëria rol strategjik për forcimin e aleancës

 

Presidenti Bajram Begaj tha se baza e NATos- e hapur në Kuçovë është një mesazh për paqe dhe dëshmon vendosmërinë e NATO-s për të garantuar sigurinë e vendeve aleate.

Begaj në fjalën e tij u shpreh se zgjedhja e Shqipërisë si bazë e NATO-s tregon se vendi ynë ka një rol strategjik për të forcuar aleancën.

"Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive. I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku. Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar.

NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike. Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit. Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme. Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri.

Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë.

Të nderuar të pranishëm, NATO feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria 15-vjetorin e anëtarësimit. Nuk ka më mirë që këta përvjetorë të festohen me investime të tilla të rëndësishme. Kjo  bazë, si dhe angazhimi ynë në NATO, është investim në mbrojtjen e vendit tonë, është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas nesh, është dëshmi e përkushtimit tonë për të punuar së bashku me aleatët tanë për të ndërtuar një botë më të sigurt për të gjithë.", tha Begaj.

Ora 11:05
Cummings: Baza e Kuçovës, stacion modern i NATO-s për Ballkanin Perëndimor

 

Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA), Stacy. A. Cummings vlerësoi sot se Kuçova është tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Në ceremoninë e organizuar për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Cummings tha se punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar.

Baza ajrore e Kuçovës na kontaktoi për projektimin dhe shërbimin që të punonim krah për krah me Shqipërinë dhe kontraktorët italianë dhe me mbështetjen e paçmuar të autoriteteve lokale të Shqipërisë ofruam punime me cilësi të shkëlqyer, me materiale me standardet e NATO-s. Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar, një arritje e vërtetë sfiduese duke pasur parasysh edhe inflacionin që ndodhi gjatë realizimit të projektit”, tha ajo.

Sipas saj, u kryen përmirësime me modernizime që përfshijnë rinovimin e një kulle kontrolli si edhe një dhome kontrolli të rimodernizuar dhe hapësira që sigurojnë magazinimin dhe ndriçimin.

“Ky ka qenë ekzekutimi i programit të parë të investimit të NATO-s në Shqipëri dhe NSPA është krenare që ka ofruar mbështetje efikase dhe mjaft të shpejtë për Shqipërinë për të realizuar këtë hap në infrastrukturë, jo vetëm për vendin pritës, por gjithashtu edhe për Aleancën”, tha ajo.

Cummings bëri të ditur se “si agjencia kryesuese për blerjet në nivel ndërkombëtar për mbështetje për sistemet në NATO, ne dëshmojmë kapacitetet tona për të vepruar për projekte komplekse dhe urgjente”.

“Duke u mbështetur në këtë gur themeli ne presim me padurim që të shtrijmë partneritetin në Shqipëri, duke zgjeruar gamën e blerjeve të infrastrukturës të mjeteve logjistike, si dhe mbështetjen e operacioneve dhe të shërbimeve të ndryshme. NSPA është e gatshme që të rrisë kapacitetet ndërkombëtare dhe të forcojë aftësinë e Aleancës për të përmbushur detyrat e saj themelore për parandalimin e krizave, menaxhimin e tyre si për sigurinë e përbashkët”, tha ajo.

Ora 11:03
VIDEO+FOTO/ Dronët Bayraktar fluturojnë mbi Kuçovë

 U hap sot zyrtarisht baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë. Ceremonia e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nisi me performimin e himneve të NATO-s dhe të Shqipërisë nga orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.

“Helikopterët ‘Black Hawk’ dhe dronët ‘Bayraktar’, të siguruar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë.

 

 

Ora 11:00
Rama: Falenderoj ministrin italian që erdhi me disa avionë luftarakë! Baza e NATO-s shërben për gjithë Rajonin që është i kërcënuar nga Rusia

 

Kryeministri Edi Rama, ne fjalën e tij e hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, tha se ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto ka ardhur në Shqipëri me disa avionë luftarakë. Kreu i qeverisë shqiptare tha se baza taktike e NATO-s ka një rëndësi për të gjithë rajonin, pasi është i kërcënuar nga ambiciet e Rusisë.

'Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohës arritur përfundoi dhe këtu bashkë me ne janë plot miq partnerë aleatë. Ministri i Mbrojtjes së Italisë ka ardhur me disa avionë luftarakë me vete. Do të falënderoja miqtë dhe aleatët tanë turq të cilët për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është e transformuar dhe e gatshme si një bazë taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Është një element sigurie për rajonin e Ballkanit tonë Perëndimor pasi është një rajon i kërcënuar nga Rusia. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e rritjes së mëtejshme të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët Black Hawak dhe dronët Bayraktar janë pjesë e rritjes që do të vazhdojë. Falënderoj banorët e zonës, për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Urojë që Baza taktik e NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi duke ndikuar në ekonominë lokale.’- tha Rama.

Ora 10:55
Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Sot vendi ynë krah perëndimit, presim aleatët në mbrojtje të paqes dhe demokracisë

 

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së bazës së NATO-s në Kuçovë solli në vëmendje një artikull të gazetës Zëri i Popullit në vitin 1954, kur shkruante për vizitën e liderit Nikita Hrushovit në Shqipëri. Rama tha se kjo bazë aso kohe konsiderohej një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike dhe ishte pjesë e planit të Kremlinit aso kohe për të sulmuar vendet perëndimore edhe me avionët që ishin në bazën e Kuçovës.

Kreu i qeverisë theksoi se sot Shqipëria është në anën tjetër, krah Perëndimit dhe duke pritur aleatët në mbrojtje të paqes dhe demokracisë.

“Duke parë një pjesë të pranishmëve si përfaqësues të një gjenerate tjetër, e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po referohem një fragmenti të gazetës ‘Zëri i Popullit’ në maj 1954, kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se ‘të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur më herët për të mirëpritur Hrushovin’. Është i rëndësishëm ky referim sepse në atë kohë Shqipëria me këtë bazë që rihapim sot konsiderohej një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike përballë Europës Perëndimor dhe ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do niste me bombardimit e Vjenës, Munihut, dy bazave të NATO-s në Danimarkë dhe pjesë e këtij operacioni do ishin edhe avionët e bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëri gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me krenari dhe respekt aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë, një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”, tha Rama.  

Ora 10:46
Hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Wisner: Vlerësojmë Shqipërinë për ruajtjen e stabilitetit në Rajon

 

I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së David Wisner, në fjalën e tij tha se baza ajrore e NATO-s është e para në Ballkan, ndërsa vlerësoi Shqipërinë për rolin e saj në ruajtjen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

‘Nder të jesh këtu për 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për përurimin e parë të bazës ajrore të NATO-s në Ballkan. NATO qëndron si aleancë me e suksesshme në histori. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, NATO është rritur si simbol, i gjithë angazhimit tonë dhe i solidaritetit të Shqipërisë me anëtarët e NATO-s. Të luftojmë për modernizmin e ushtrisë së Shqipërisë, Shqipëria është vlerësuar për rolin në ruajtjen stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ne qëndrojmë së bashku.’- tha Wisner.

 

 

Ora 10:42
Gjenerali i NATO-s: Shqipëria e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur paqen

 

Gjenerali Lieutenant General JuanPablo Sanchez De Lara në ceremonine e hapjes së bazës së Kuçovës tha:

“Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë e paqe. Jam e sigurtë që kjo bazë do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s e do të forcojë bashkëveprimin në kuadër të Aleancës. Do të qëndrojmë gjithmonë krah njëri tjetrit”

Ora 10:31
Shefi i Shtabit të FA: Baza e Kuçovës një vlerë e shtuar në mbrojtjen tonë! E vetmja në Ballkanin Perëndimor

Gjeneral Major, Arben Kingji, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, tha se baza e Kuçovës do të jetë një vlerë e shtuar në mbrojtjen tonë.

‘Sot, pas përfundimit me sukses të këtij projekti madhor të financuar nga NATO dhe qeveria shqiptare, afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën tonë të mbrojtjes, e cila riafirmon rëndësinë strategjike të vendit tonë dhe përkushtimin e Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”.

Ai theksoi se kjo bazë do të ofrojë infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të Aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse, do të shërbejë si qendër për aktivitetet e forcës sonë të përgjithshme ajrore, për dislokimin e forcave dhe mjeteve, zhvillimin e trajnimeve dhe stërvitjeve, qoftë në kuadër kombëtar, dypalësh, rajonal apo të Aleancës.

Sipas tij, në një epokë të karakterizuar nga sfidat komplekse dhe dinamike të sigurisë, nevoja për një infrastrukturë mbrojtjeje të qëndrueshme dhe bashkëkohore është bërë më e domosdoshme se kurrë.

“Kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirave ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, nënvizoi kreu i FA-së.

Ai vuri në dukje ndikimin pozitiv që do të sjellë kjo bazë në zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit.

“Me vënien në funksion të kësaj baze, tashmë përpjekjet tona do të përqendrohen në një projekt tjetër të rëndësishëm, që po hedh hapat e parë: Portin e ri të Porto-Romanos. Ndërtimi i këtij porti do të rrisë ndjeshëm kapacitetet tona detare dhe do të sigurojë mbështetje për operacionet dhe stërvitjet e NATO-s, duke siguruar hapësirat e nevojshme për pritjen e forcave të Aleancës dhe lëvizjen e shpejtë të tyre nga Perëndimi në Lindje, nga bregu i Adriatikut në bregdetin e Detit të Zi dhe në krahun lindor të Aleancës,” u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Kingji.

Ora 10:26
Peleshi: Baza e NATO-s në Kuçovë aset i gjithë rajonit, rrisim numrin e helikopterëve Black Hawk dhe dronëve bajraktar

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një aset për gjithë rajonin. Në ceremoninë e hapjes, Peleshi tha se kjo bazë do të shërbejë për  forcat ajrore dhe operacionet e përbashkëta me NATO-n.

Peleshi theksoi se do të vijojë punë për të vënë në përdorim si bazë të NATO-s edhe Porto Romanon.

Ministi tha se numri i helikopterëve Balck Haëk dhe dronëve bajraktar do rritet në të ardhmen.

“Sot, deklarojme zyrtarisht rihapjen e Bazës Ajrore të Kuçovës, e cila përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si një “bazë ajrore taktike dhe operacionale” për Aleancën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mbi këtë pistë, MIG-u i fundit ka fluturuar pothuaj 19 vite më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve NATO, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës.

Ndjenja e krenarisë që sot provojmëështë mëse e ligjshme, jo vetëm për rezultatin e dukshëm të një ekipi të jashtëzakonshëm ekspertësh dhe teknikësh që kanë punuar ditë e natë për rigritjen e kësaj baze, por edhe për faktin se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin ti ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive. Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për Forcat tona Ajrore, për tëcilat vemendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullsisë sonë, por edhe të aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk dhe dronët Bayraktar, te siguruar me mbështetjen eShteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm, në një të ardhme të afërt. Dhe për këtë qëllim po punohet fort!

Miq dhe aleatë, Konsiderojeni këtë bazë si njëpikë strategjike të rëndësishme për operacionet tuaja në mbështetje dhe mbrojtje të paqes, si dhe për misionetdhe operacionet e Aleancës sonë.Por, gjithashtu, kjo bazë ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst, ndihma dhe mbështetja që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë, por edhe më të përkushtuar se kurrë për të qenë në lartësinë e duhur përballëçdo situate.

Jo më larg se dy vite më parë, askush nga ne nuk do ta kishte menduar kurrë se Evropa do të përballej me një agresion të tillë të egër ndaj një populli krejtësisht të pafajshëm, siç dhe po ndodh me agresionin rus në Ukrainë. Pamjet e një lufte të tillë konvencionale, të ngjashme me tmerret e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, tronditën bindjen se siguria në shekullin ku jetojmënuk eshte e pacenueshme.Gjithçka pritet nga fronti i lindjes! Dhe ne duhet te jemi te pergatitur te mbrohemi me te vetmen formule fituese ne tavoline : bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtese.

Dhe ju siguroj se Shqiperia do te jete aty, e gatshme per te bere pjesen e saj nese koha do ta kerkoje. Ne perballjen me te keqen nuk ka kombe te medhenj dhe te vegjel. Sigurisht, numrat vlejne, por vlen me shume forca e shpirtit te nje kombi, dëshira për të mbijetuar, dinjteti për tu rreshtuar në anën e drejtë të historisë, ku, ne, shqiptarët jemi të ankoruar prej shekujsh.

Në këtë logjikë, baza që inagurojmë sot është një aset për të gjithë rajonin. Shqipëria do të vijojë përpjekjet e saj për të vendosur në përdorim të NATO-s edhe Portin Ushtarak të Porto Romano-s,  që bashke me projektin strategjik te korridorit te VIII i siguron Aleances aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi.Shpresojmë të kemi mbështetjen e vendeve aleate dhe mike në këtë projekt madhor! Duke u rikthyer tek inagurimi i sotëm, me lejoni te shpreh falenderim dhe mirënjohje të thellë për gjithkënd që punoi në rikthimin në shkëlqim të plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës.

Një falënderim i veçantë shkon për Agjencinë e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA), që qëndroi që në krye të herës në krahun tonë, deri në realizimin e këtij projekti, qëbindi edhe më skeptikët. Por, një mirënjohje edhe për miqtë tanë turq, të cilët prej vitesh u kujdesën dhe investuan në këtë bazë deri në momentin kur NATO mori persiper projektin madhor. Një falenderim të përzemërt për kolegët e mi, ministrat e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut , Italisë , Malit të Zi e Republikës së Kosovës për vlerësimin e ftesës dhe praninë e tyre sot !Mirenjohje te gjitheve per prezencën, ndihmën dhe mbështetjen tuaj,që e bën këtë ceremoni të paharrueshme. Dhe padyshim, 04 marsi 2024 do të skalitet në kalendarin tonë, si dita kur pilotët italian dhe amerikan fluturuan përsëri si shqiponja, mbi qiellin e Kuçovës.”, tha Peleshi.

Ora 10:09
Nis ceremonia e hapjes së bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë! Performon banda fymore e Forcave të Armatosura

 

Ka nisur ceremonia e hapjes së bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë. Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, ka performuar fillimisht himnin e NATO-s, e më pas himnin e Shqipërisë.

Gjatë hapjes së bazës ajrore të NATO-s, dronët ‘Bayraktar’ të blerë në Turqi do bëjnë fluturimin e parë. Krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të Aleancës kanë mbërritur për të marrë pjesë në inaugurimin e bazës taktike të NATO-s në Kuçovë.

Ora 09:42
Presidentja e Kosovës: Hapja e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, kontribuon në rritjen e sigurisë në rajon

1708696887_vjosaosmani.JPG

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përshëndetur hapjen e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Në një postim në platformën “X”, Osmani shprehet se “hapja e Bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar për rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”.

“Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet”, thekson presidentja e Kosovës.

Ora 08:10
Dronët ‘Bayraktar’ bëjnë sot fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës në Kuçovë

Tre dronët e armatosur Bayraktar, ‘TB2’ të blerë në Turqi do të bëjnë fluturimin e parë sot në çeljen e bazës ajrore në Kuçovë. Kështu bën më dije kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar edhe pamjet nga montimi i dronëve.

‘Mirëmëngjes dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e hapjes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë.’- shkruan Rama.

Çfarë është droni Bayraktar TB2? 

Droni Bayraktar TB2 është një mjet ajror luftarak pa pilot i prodhuar nga kompania turke e teknologjisë Bayraktar. Tre njësitë e para hynë në shërbim me Forcat e Armatosura Turke më 29 gusht 2021. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Çmimi për një dron Bayraktar TB2 nuk është bërë publik, por në disa faqe interneti se është 5 milionë euro.

Droni TB2 ka një hapje krahësh prej 12 metrash dhe mund të lëshojë bomba për të shkatërruar tanket dhe artilerinë me ndihmën e një lazeri. TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë. Droni mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Është e pajisur me 4 raketa. Pesha maksimale e dronit bombardues është deri në 650-700 kg.

“Bayraktar” është shumë i aftë të godasë pjesët më pak të mbrojtura të frontit të armikut, pasi një dron bombardues godet pa mëshirë kamionët e logjistikës, qendrat e komunikimit etj. Droni është pa pilot, por për drejtimin e tij janë përgjegjës tre persona. Ata janë komandanti, “piloti” dhe operatori.

AXHENDA e CEREMONISE, 4 mars 2024
10:50 Fjala përshëndetëse e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Ameriakne David WISNER
10:55 Fjala përshëndetëse e Ministrit Turk të Mbrojtjes Yaşar GÜLER
11:00 Fjala përshëndetëse e Ministrit Italian të Mbrojtje Guido CROSETTO
11:05 Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi RAMA
11:15 Fjala përshëndetëse e Kryetares se Parlamentit Lindita NIKOLLA
11:20 Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram BEGAJ
11:30- 11:45  Air Show

 

 

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nukkuptoni: 04/03/2024 11:17

    Nuk kuptoni qe nje baz thjesht te ben shenjester po plasi lufta esht nje vend per tu goditur nga pala tjeter. Thjesht te ben pjes e "kercenimit" kundrejt nje agresori te mundshem neser. Nje baz ajrore pa avion e helikopter ska dobi esht si nie baz detare pa anije luftarake pa anije edhe nendetese, esht sa per te prishur pune se gje nuk regullon

    Përgjigju
  • Emigranti: 04/03/2024 10:50

    Rrofte PPSH si e bani gati per naton

    Përgjigju
  • Pensionisti: 04/03/2024 10:17

    RIHAPET baza e Enver Hoxhes nga NATO. Tani te RIHAPEN bazat detare dhe te pastrohen tunelet dhe bunkeret.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb