E nisur nga Sali Berisha në vitin 2011, rruga Qukës-Qafë Plloçë është më në fund gati dhe e kalueshme nga udhëtarët.

Ky segment rrugor që shmang Prrenjasin, Qafë Thanën dhe Pogradecin, ka një gjatësi prej 43 kilometrash.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në inaugurimin e këtij segmenti rrugor, i shoqëruar edhe nga zv/Kryeministrja, deputeti i PS Niko Peleshi etj.

Kreu i qeverisë tha se projekti për këtë rrugë kishte nisur që prej qeverisë Berisha para më shumë se 1 dekade, por siç tha Rama, ishte “projekt pa projekt” dhe është dashur shumë punë për ta përfunduar në zbatim këtë vepër infrastrukturore.

Megjithatë, tashmë rruga Qukës-Qafë Plloçë është gati. Rama e konsideroi se hapja për qarkullimin e këtij aksi është një fitore e madhe.

“Kur e morëm në trashëgim projektin që kishte nisur pa projekt, është projekti më i gjatë, më i ngatërruar, më i stërmundimshëm për shkak se u nis mbrapsht, 17 metra disnivel". Dhe tani është gjë e madhe që mbaroi, edhe për njerëzit e zonës është fitore e madhe. Është një çlirim shumë i madh”, u shpreh Rama.

Aksi Qukë-Qafë Plloçë ka edhe tunele me gjatësi totale 1.1 kilometra, pra 710 metra njëri tunel dhe 300 metra tuneli tjetër; 4 ura, dy prej të cilave të varura.

Zv/Kryeministrja tha se sfidë tashmë është mirëmbajtja, por siguroi se për dimrin do të jenë gati.

Kjo rrugë e re me kosto 260 milionë euro, shmang Përrenjasin, Qafë Thanën dhe Pogradecin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:51
Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Ramën e presin me këngë, valle tradicionale e kulaç: Këtë nuk e prisja

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në inaugurimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, që prej ditës së sotme është e hapur për qarkullimin e automjeteve.

Kjo rrugë me gjatësi 43 kilometra do të lehtësojë qarkullimin dhe shkurtojë udhëtimin nga Tirana në Korçë e drejt zonave të tjera të lindjes e juglindjes.

Teksa inspektonte rrugën, Kryeministri Edi Rama u prit me këngë e me valle nga grupet polifonike të zonës, si dhe me kulaç.

“Këtë nuk e prisja”, u shpreh Rama teksa pa grupet polifonike.

Rruga Qukë-Qafë Plloçë është degëzim i Korridorit të 8. Një banor i zonës tha se me rrugën e re, distanca nga Tirana në Korçë është rreth 2 orë.