Është hapur traseja e rrugës nga pika kufitare me Malin e Zi deri në Zogaj. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama me anë të një njoftimi në Facebook.
Rama thekson se i gjithë segmenti nga Shiroka në vazhdim do të ketë trotuar edhe korsi biçikletash.
“Në kantierin e punës në rrugën Shirokë - Zogaj, po punohet me ritme të shpejta, ku aktualisht është hapur traseja e rrugës nga pika kufitare deri në Zogaj.
Pjesa e fundit e rrugës Shirokë-Zogaj-pikë e re kufitare me Malin e Zi kalon mbi fshatin Zogaj, por hapet praktikisht si rrugë e re mbi një shteg ekzistues, ndërkohë që i gjithë segmenti nga Shiroka në vazhdim do të ketë edhe trotuar dhe korsi biçikletash”, shkroi Rama.
Ky projekt po zbatohet nga kompania ALB Star, e cila fitoi kontratën 4.7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë me 2 tetor 2025.
Rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi (Krajë) është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale.