Hapja e dosjes së Gërdecit, të gjitha fijet që të çojnë te Shkëlzen e Sali Berisha! Dokumentet, tabulatet e dëshmitë, Mediu 'vegël' e familjes Berisha në biznesin kriminal

Hapja e dosjes së Gërdecit, të gjitha fijet që të çojnë te Shkëlzen e Sali Berisha! Dokumentet, tabulatet e dëshmitë, Mediu 'vegël' e familjes Berisha në biznesin kriminal

Fatmir Mediu, Sali e Shkëlzen Berisha dhe faksimile te dokumentave dhe tabulateve telefonike

Një aferë kriminale e 13 viteve më parë, më tragjikja që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar, me protagonistë në prapaskenë Shkëlzen dhe Sali Berishën, që solli si pasojë 27 viktima, plagosjen mbi 200 personave dhe rrafshimin e rreth 300 shtëpive e bizneseve, po çon më në fund në duart e SPAK-ut Fatmir Mediun, i cili më shumë se një dekadë më parë i shpëtoi drejtësisë me procedurë dhe me petkun e imunitetit, falë edhe kontrollit të Berishës mbi Gjykatën e Lartë. 11 vjet pasi Gjykata e Lartë mbylli rrugët për ndëshkimin e kokave që kishin ideuar dhe kopsitur letrat për Gërdecin, si dhe në një kohë kur Vetingu ka ‘palosur’ shumicën e gjyqtarë ‘ushtarë’ të Sali Berishës, SPAK ka kërkuar të marrë të pandehur Fatmir Mediun.

Por, provat shkresore, tabulatet telefonike, dëshmitë, kërcënimet për të mbyllur gojën dhe rrethanat tregojnë se, Fatmir Mediu, në cilinë e ministrit të Mbrojtjes, ka kopsitur letrat për biznesin vdekjeprurës në Gërdec, duke vepruar për interes dhe nën kërkesat e Shkëlzen Berishës dhe babit të tij, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër dhe shef i Mediut. Nuk ka deri më sot prova apo dyshime që Mediut të ketë përfituar personalisht të ardhura nga biznesi i demontimit të municioneve në Gërdec, por ka fakte se ka vepruar për llogari të interesave të djalit të ish-kryeministrit, i cili edhe në këtë histori del si sekser. Tabulatet telefonike janë prova më e fortë që konfirmojnë se Shkëlzeni ishte njeriu kyç në historinë e Gërdecit.

Është një histori e ngjashme me skandalin e grabitjes së ish-Klubit Partizani, një histori e zbërthyer nga Report Tv përmes disa investigimeve, ku Sali Berisha vinte në rresht ministra dhe drejtorë, për të bërë letrat, për kalimin e pronës shtetërore në duart e dhëndrit të tij, i cili sot ka ngritur 16 pallate dhe po ndërton edhe tre kulla të tjera me para që nuk u dihet origjina. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me privatizimin e OSSH, me kosto mbi 400 milionë euro, ku sërish ministra dhe drejtorë lëvizin me shpejtësi për të bërë letrat, ndërsa në prapaskenë shfaqet Shkëlzen Berisha, sërish si sekser.  

Po cilat janë fijet që lidhin Shkëlzenin me Gërdecin dhe rrjedhimisht Sali Berishën?

1. Lobimi tek Fatmir Mediu

Para përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, jashtë çdo kushti sigurie, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ka hyrë dhe dalë shpesh Shkëlzen Berisha. Ky i fundit lobonte që biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, aty ku sot ka ngritur vetë biznesin e boronicave, ta marrte Mihal Delijorgji, me të cilin kishte lidhje kulte. Gjatë hetimit pas tragjedisë, prokuroria ka sekuestruar blloqet e shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut, ku shënoheshin emrat e njerëzve që takonin ministrin. Në këto fletë blloqesh del emri i Shkëlzen Berishës, i cili ka takuar Mediun në datat 18 mars 2007 si dhe në datat 17, 18, 19 dhe 20 korrik 2007.

 Blloku i shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut për takimet me Shkëlzenin

2. Dëshmia e sekretares së Aldo Bumçit

Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec. Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se "Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin..." Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një faks privat që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t'i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e demontimit të armëve në Gërdec. Çuditërisht, Mediu dhe Bumçi nuk u pyetën kurrë nga prokuroria se ç’punë kishte Shkëzleni që shkonte në zyrën e tyre. Gjithashtu, Shkëlzen Berisha as nuk u pyet dhe as nuk u hetua kurrë.

 Deshmia e Sekretares se Aldo Bumçit për rolin e Shkëlzenit

3. Mediu dhe Berisha nisin lëvizjet për ngritjen e fabrikës së vdekjes

Që në fillim të vitit 2007, Fatmir Mediu çon në qeveri vendimin për t’i dhënë kontratën e demontimit kompanisë për të cilën ishte interesuar Shkëlzenit. Mediu shfaqet nervoz, pasi vendimi i tij po diskutohej gjatë në drejtorinë juridike të qeverisë. Berisha ishte gati ta miratonte, por pas një ndërhyrje kundërshtuese e zëvendëskryeministrit, Ilir Rusmali, ndryshoi planet. Debate pati edhe në një mbledhjet të qeverisë së datës 17 shkurt 2007. Nga procesverbali rezulton se Rusmali ka pohuar se qeveria nuk mund të bënte tender për demontimin. Kështu, tenderin e paracaktuar e bëri vetë Mediu, duke shënuar edhe shkeljen e parë nën ndikimin e Familjes Berisha, shkelje e cila do t’i paraprinte tragjedisë. Koha e zhvillimit të tenderit nga Mediu përkon me vizitat e Shkëlzenit në zyrën e tij.

 Procesverbali i qeverisë, Mediu kërkon miratimin e vedimit për punishten e demontimit

4. Doli kundër, Rusmali ndëshkohet nga Berisha

Ilir Rusmali, i cili u pozicionua kundër biznesit të Gërdecit në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007, u ndëshkua më pas nga Sali Berisha. Fillimisht, Berisha e përjashtoi Rusmalin nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013, duke e larguar nga Parlamenti. Në vijim, Rusmali u përjashtua gradualisht edhe nga strukturat e PD. Në zgjedhjet e 2017, Rusmali u la sërish jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PD. Hakmarrja vazhdoi, pasi në tetor të vitit 2020, PD-ja vuri dje veton duke përjashtuar Ilir Rusmalin nga gara për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

5. Dëshmia e Bamir Topit

Implikimi i Shkëlzen Berishës në Gërdec dhe qëndrimi kundra i Ilir Rusmalit trajtohet edhe nga ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), duke iu referuar diskutimeve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas shpërthimit. Bamir Topi shkruan se “Fillimisht ishte propozuar një raport ushtarak në Bërzhitë, fshat në juglindje të Tiranës, afër Petrelës. Me sa kuptoja nuk ishte pranuar, për shkak të infrastrukturës mbështetëse, që nënkuptonte rrugën e cila ishte e ngushtë për makina të mëdha transporti. Gërdeci, pranë Vorës, ishe vend ideal për përfituesit e këtij biznesi gjigant, ku ishin përfshirë sipas informacionit dhe medias edhe familjarë të Berishës, madje edhe baxhanaku i tij, Muhamed Hoxha, mbeti i vrarë. Përflitet që i biri kishte qenë aktiv qysh në procesin e vendimmarrjes, kur duhej të merreshin mendimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë; madje Ilir Rusmali që drejtonte këtë ministri, kishte dhënë mendim negativ, por çdo gjë u realizua në Këshillin e Ministrave”.

6. Nisin punimet në Gërdec, përfshihet Fahri Balliu

Pasi fitoi tenderin nga Mediu, falë lobimit të Shkëlzenit, Deligjorgji ngriti një kompani ndihmëse, për të kryer punimet në Gërdec, për ngritjen e fabrikës, brenda një territori ushtarak, ku në këtë fazë del në skenë si përfshirë edhe Fahri Balliu, një personazh pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës, i implikuar edhe në afera të tjera si dhe objekt i disa kabllogrameve që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka nisur DASH. Vajza e Fahri Balliu ishte aksionere me 20 % në kompaninë ‘Trans Digging Construction”, të Delijorgjit, që po ndërtonte fabrikën. Ajo u largua nga kompania sapo shpërtheu Gërdeci, ndërsa nuk u pyet kurrë nga prokuroria.

 Vajza e Fahri Balliu, aksionere në kompaninë që ndërtoi fabrikën në Gërdec

7. Ushtarakët denoncojnë punimet e paligjshme në Gërdec

Sali dhe Shkëlzen Berisha, në rrugën për realizimin e aferave financiare, janë përballur me njerëz që kanë kundërshtuar shkeljen e ligjit dhe që kanë denoncuar veprimet arbitrare. Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit, Luna Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit, për të ndërtuar fabrikën e vdekjes. Kjo shkresë, e cila u injoruar, tregon se gjithçka po bëhej në mënyrë jo të rregullt dhe nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në këtë rast punonte për një biznes, për të cilin ishte interesuar Familja Berisha.

 Ushtarakët denoncojnë veprimet e abitrare të Deliorgjit në Gërdec 

8. Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për ankesën e ushtarakëve

13 muaj pas shpërthimit, në 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikanë të Shtetit për Gërdecin, ku ndër të tjera i raporton se “Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten...”.

9. Në skenë del Rrahman Selmanllari, ‘vëllai’ i Shkëlzenit

Historia nuk mund të ishte kaq e plotë pa Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Selmanllari, i cili në atë kohë në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme, u shfaq si përfaqësues i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gëedec. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec.

: Shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari përfaqësues i kompanisë së demontimit

10. Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit

Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.

11. Shpërthimi, Mediu 4 biseda telefonike me Shkëlzen Berishën

Ka një moment kyç që zbulon se kush ishin pronarët e vërtetë të biznesit kriminal të demontimit të municioneve në Gërdec. Janë lëvizjet e para të Fatmir Mediut kur shpërtheu fabrika në Gërdec. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka follat përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda. Për 13 vjet më radhë, Mediu dhe Shkëlzeni nuk kanë folur kurrë për këto telefonata dhe as nuk janë pyetur nga drejtësia.

Tabulatet, telefonata e Mediut me Shkëlzenin 

12. Mihal Delijorgji i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit

Të gjithë veprojnë dhe sillen rreth Shkëlzenit. Në 12:10 të 15 marsit 2008 shpërtheu fabrika në Gërdec dhe tragjedia ishte në zhvillim e sipër. Pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i "Albademil" Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha. Sipas tabulateve telefonike, Delijorgji i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 dhe biseda ka zgjatur 54 sekonda. Mbetet mister se çfarë kanë biseduar Delijorgji dhe Shkëlzeni, ndërsa ku moment kuç është injoruar nga hetimet. Pas Shkëlzenit, Delijorgji i ka telefonuar disa herë Ilir Metës, i cili një vit më vonë do të bashkohej me Sali Berishën.

Tabulatet, Delijorgji i telefonon Shkëlzenit 

13. Ish-shefi i Shtabit Luan Hoxha: Shkëlzeni më bëri presion!

14 muaj pas Gërdecit, në 17 qershor 2009, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit. Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009. Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.  Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”. Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkaq, Luan Hoxha mori azil politik në SHBA.

Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për rrëfimin e Luan Hoxhës 

Kosta Trebicka: E paralajmërova Shkëlzen Berishën

Emri i Shkëlzen Berishës si personi që fshihej pas biznesit në Gërdec u lakua për herë të parë nga biznesmeni Kosta Trebickës, dëshmitari kyç i Gërdecit dhe trafikut të armëve, i eliminuar më pas mbi Voskopojë, përmes një inskenimi si aksident. Kosta Trebicka akuzoi Shkëlzen Berishës se kishte ndërhyrë Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida, për të nxjerrë Trebickën jashtë loje nga biznesi e ambalazhimit të municioneve në Gërdec. Madje, para se të eliminohej, Kosta Trebicka e ka kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën se do të fliste për rolin e tij në këtë histori. Pas shpërthimit, Trebicka ka pohuar se “E paralajmërova z. Shkëlzen se dokumentet do të kalojnë në dispozicion te investigatorëve specialë që do vijnë nga Rocki Aljend nga departamenti i armatimit, të cilët do vononin të nisnin investigimet për këtë skandal në Shqipëri. Unë jam shumë i hapur. Le të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk jam i përzierje në këto afera me tha Shkëlzeni. Atëherë unë them se kam bërë shumë mire që e lajmërova z. Shkëlzen sepse e kisha për detyre që ta lajmëroja. Mendova se ai ishte implikuar pa dashje në këto afera dhe mendova se duhet lajmëruar kryeministri, i cili do të merrte masa drastike për të shkatërruar këto plane dhe për të vazhduar ecurinë e punës”. Por, Kosta Trebicka u gjet i vdekur disa javë më pas në 12 shtator 2008.

 Intervista e Kosta Trebickës ku paraljmëroi Shkëlzenin

Efraim Diveroli:  Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij

Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec.

Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “...kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”. Përgjimet janë pranuar nga Berisha dhe Shkëlzeni. Por, edhe Diveroli, ashtu si Luan Hoxha dhe Trebicka, më pas është tërhequr në mënyrë të dyshimtë, duke deklaruar se ka gënjyer.

Janë një mal me prova, dëshmi, shkresa, përgjime etj., që e nxjerrin në pah dimensionin e implikimit të Shkëlzen Berishës në Gërdec, duke përdorur pushtetin e babait. Megjithatë, deri më sot, Shkëlzen Berisha, as nuk është hetuar dhe as pyetur, po lëviz i lirë si provë e padrejtësisë në Shqipëri, madje vitet e fundit ka ngritur edhe një biznes boronicash pikërisht në Gërdec, përmes një skeme të dyshimtë miliona euro.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 08/05/2021 02:49

    Me sa duket Mediut po i vjen dita qe te behet koke turku.A ka ndonje menyre qe Mediu kur t'i rrokuliser koka e vet ,te marre dhe nja dy-tre koka te tjera me te rendesishme me vete ?

    Përgjigju
  • Ta rras lala: 07/05/2021 19:38

    Ore tē gjith jan të përlyer të gjith politikanët jan hajduta. Nga të gjith krahët plera të dekonpozuara që qelben er e ky koodosh popull del e i voton kto blloqe plerash që qelben er. E pak i bëjn këti kodosh populli këta plera të dekonpozuara.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Koha për të përforcuar marrëdhëniet duke treguar ndjenjat me sinqeritet, horoskopi për sot

Koha për të përforcuar marrëdhëniet duke treguar ndjenjat me sinqeritet, horoskopi për sot