Komisioni i Ligjeve shfuqizoi komisionet “Bezhani” e “Mezini”, duke i dhënë të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie. Ndonëse opozita është dakord, pati debate për aksesin e plotë të qytetarëve në dosje, gjë që nuk pranohet nga mazhoranca.

Kuvendi i jep dritën jeshile Autoritetit të Dosjeve për të rivlerësuar pastërtinë e figurës së politikanëve apo zyrtarëve që janë certifikuar më herët si “jo bashkëpunëtorë” të ish-sigurimit të shtetit përmes komisioneve “Bezhani” e “Mezini”. Ndryshimet ligjore të kërkuara nga Autoriteti i Dosjeve u miratuan nga Komisioni i Ligjeve pas daljes në skenë të dosjes I.M, për të cilin u tha se ishte ish-Presidenti Ilir Meta.

Pavarësisht dakordësisë për këtë pikë, mazhoranca dhe opozita sërish patën përplasje. Shkak u bënë ndryshimet ligjore të kërkuara nga Partia Demokratike e Alibeajt që kërkon deklasifikim dhe akses të plotë të qytetarëve në dosjet e ish-sigurimit të shtetit. Mazhoranca shprehu dakortësinë e saj vetëm për deklasifikimin.

“Momenti është tani, sidomos tek neni 29 i shumpërfolur. Ai përmbys të gjitha dispozitat e ligjit të dosjeve, që vendosin kufizime në hapjen e tyre. Të shkallmohet dera, që mban të mbyllura dojet e sigurimit, juve thoni hajde shohim këto frëngjitë e vogla e ndërkohë publiku mbetet në errësirë. Është paraqitur sipas procedurës. Edhe kur hidhen nenet në votim hidhet i pari amendamenti që është më i largët, pra ky i joni. Dosjet të hapen pa asnjë kufizim, pra vetëm me kufizimin që të mos cënohet siguria kombëtare. Me këtë jam dakord. Ajo që po pretendojmë ne është shumë herë më tepër, jo vetëm të kontrollohet, por të mos kontrollohet nga një dotë e vetme”, është shprehur Alibeaj.

Ndërkohë që i ashpër në reagim ishte deputeti socialist, Pandeli Majko. Ai tha se duhet pasur kujdes, se cënohen fate individësh.  

“Të jemi pak më të rezervuar, ta lëmë mes marrëdhënieve midis viktimës dhe kush e ka spiunuar ndërsa ju doni që të bëhet si Faceboook. Kemi të bëjmë me fate individësh. Ka edhe viktima që nuk do të donin të dilnin detaje. Diskutoni si adoleshente këtu”, tha Majko.

Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve nuk pranuan një amendament të kreut të grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj për hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga nëntori 1944 deri në korrik 1991. Shumica socialiste vendosi të mos e marrë në konsideratë këtë amendament. Pas rrëzimit të amendamentit deputetët e opozitës vendosën ta braktisin mbledhjen e komisionit, duke lënë aty vetëm maxhorancën. Alibeaj tha se mazhoranca në Komision tregoi fytyrën e vërtetë duke mos votuar hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit”. Ai e cilësoi si “pjellë e Partisë së Punës” dhe si “shkaktarë të dhimbjeve”.

Debatet sollën dhe largimin e opozitës nga punimet në komision, teksa ndryshimet ligjore u miratuan vetëm me votat e mazhorancës, e cila u shpreh e vendosur për një akses të kufizuar në dosje. Tashmë ndryshimet ligjore do të kalojnë për miratim dhe tek komisioni i Sigurisë Kombëtare, për të vijuar më tej dhe me votimin e tyre në seancë plenare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:43
Përplasje Majko-Alibeaj, socialisti: Vini këtu flisni si adoleshentë politik! Demokrati: Je kokrra e komunistit

 

Edhe pse ka një dakordësi në parim me palëve politike në Kuvend për hapjen  e dosjeve teknikalitetit duket se kanë bërë që të ketë një debat të ashpër mes Pandeli Majkos dhe Enkelejd Alibeajt në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Deputeti socialist tha se duhet pasur kujdes kur kërkohet hapje e plotë e dosjeve sepse bëhet fjalë për fate individësh dhe ka edhe viktima të komunizmit që sduan të dalin disa detaje. Majko e ka quajtur sjellje ‘adoleshentësh politikë’ qëndrimin e PD.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Enkelejd Alibeajt i cili i ka thënë se ‘ti je kokrra e komunistit’.

Debati: 

Enkelejd AlibeajMe hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo institucion ka detyrim të publikojë bibliografinë e dokumenteve të shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991 të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për informimin. Unë gjykoj që këtu e ka vendin. Nëse e miratojmë për teknikë legjislative mund ta çojmë ku të doni ju.

Pandeli Majko: Ajo që ne ndahemi këtu është se ne jemi për hapjen e dosjeve sipas të gjitha propozimeve. Ne themi duhet të jemi pak më të rezervuar. Ta lëmë hapjen e dosjes si marrëdhënie mes viktimës dhe dosjes së tij. Ju doni që dosja të bëhet si Facebook.

Ajo që po kërkon edhe relatorja dhe ato që tha kryetarja e komisionit të ligjeve është se kemi të bëjmë me afate. Po diskutojmë për fatin e viktimave. Ti tani do që të na vësh ne në pozitë të vështirë që të thuash maxhoranca nuk do hapjen e dosjeve. Po diskutojmë për një dramë. Nëpër dosje ka edhe detaje, të cilat ndoshta edhe i përndjekuri nuk do që t’i dijë sepse ka të përndjekur që janë detyruar të bëjnë spiunin. 

Nuk e kanë mbajtur spiunët regjimin komunist. E kanë mbajtur ca të tjerë. Ne e bëjmë diskutimin sikur të gjithë sistemin e paskan mbajtur këta. Mos insistoni kaq shumë për t’i futur një bojë të djathtës që e keni bërë fërtele. Ka pasur sigurim shteti në 29 nëntor?

E kishin mendjen ata që po vriteshin për të ndërtuar burgun e Burrelit?! Nëse duam të bëjmë retorikë, pas 30 vitesh këto janë budallëqe. Të na thoni ne se ju nuk doni të hapni këto, nuk ka kuptim më. Propozimet që vijnë nga autoriteti dhe me mirëkuptimin e tyre. Ka në dosje detaje që edhe vetë viktima nuk është i interesuar. Janë bërë spiunë njerëz që kanë qenë të përndjekur. Nuk më takon mua ta them këtë duhet ta thoni ju. Na vjen këtu diskuton si adoleshent.

Enkelejd Alibeaj: Ti je kokrra e komunistit dhe s’mund të na mbash leksion këtu.

Pandeli Majko: Ik ore budalla..!