Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën në parim pr/ligjin 'për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit' i propozuar nga Qeveria, ndërsa rrëzoi nismën ligjore të hartuar nga shoqëria civile, e mbështetur nga dy deputetët Mesila Doda(PD) dhe Shpëtim Idrizi(PDIU).
Anëtarët e komisionit miratuan në parim me 8 vota pro dhe 3 kundër draftin e paraqitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa rrëzuan variantin e mbështetur nga deputetët Doda dhe Idrizi, pasi është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias.
Gjatë prezantimit të draftit të qeverisë nga zv/ministrja e Mireqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, u theksua se ai është hartuar nbështetur në eksperiencën më të mirë gjermane të hapjes së dosjeve. Sipas saj,   varianti, para se të kalonte për miratim në qeveri, i është marrë mendim shoqatave të ndryshme dhe organizatave të specializuara ndërkombëtare që veprojnë në vend.
Një javë më parë komisioni i Ligjeve miratoi draftin e propozuar nga qeveria, ndërsa rrëzoi nismën ligjore të shoqërisë civile. Sipas maxhorancës, projektligji i paraqitur nga dy deputetët ka përplasje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009 dhe për rrjedhojë nevojiten disa ndryshime.
Drafti i qeverisë parashikon që procesi i hapjes së dosjeve të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.
Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Ndërsa nisma e shoqërisë civile përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar./atsh/