Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar kundër hapjes esënjë konsullate serbe në Shkodër.

Përmes një reagimi publik, Spahia e cilëson këtë vendim si "shërbimin e radhës ndaj Vuçiçit" nga qeveria shqiptare, të cilën e akuzon se ndjek politika antishqiptare.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama po dëshmon edhe një herë se është i gatshëm të sakrifikojë interesat kombëtare për të ruajtur marrëdhëniet politike me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Hapja e konsullatës serbe në Shkodër është shërbimi i radhës ndaj Vuçiç, i një qeverie thellësisht antishqiptare në Tiranë!​Edi Rama po dëshmon sërish se është i gatshëm të shkelë mbi interesat tona kombëtare vetëm për të ushqyer "vëllazërinë" e tij politike me Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë që Beogradi zyrtar dhe ministrat e tij nuk ndalin gjuhën e urrejtjes dhe fantazitë e spastrimit etnik ndaj Kosovës, qeveria e Tiranës jo vetëm që nuk i dënon, por i shpërblen duke u hapur dyert. Anashkalimi i Kosovës dhe goditja pas shpine ndaj saj është kthyer tashmë në një axhendë të përditshme të këtij pushteti.​Pyetja që duhet të na alarmojë të gjithëve është pse pikërisht tani ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon me retorikën dhe qëndrimet nacionaliste dhe madje edhe kërcënuese? Pse në kryeqendrën e Veriut, në djepin e patriotizmit, kulturës dhe rezistencës historike shqiptare përballë ekspansionizmit nacionalist sllav? E gjitha kjo me bekimin dhe tapinë e kryeministrit tonë "vëllait" të Vuçiçit”,- shkruan Spahia.


Lajmi kryesor:

Ministri i Jashtëm i Serbisë: Do të hapim konsullatë në Shkodër