TIRANE-Presidenti Ilir Meta e cilëson si marrëzi, fundi i së cilës dihet qartë, miratimin e ndryshimeve Kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Kreu i shtetit ka reaguar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi.

Për ndryshimet Kushtetuese duhen 94 vota, por Ilir Meta shprehet se Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitime, teksa të tjerët nuk i njeh. Por qëndrimi i Presidentit në këtë rast është me dy standarde, pasi në momentin që kërkon miratimin e draftit të 5 qershorit, që do 84 vota e njeh si legjitim Kuvendin, ndërsa për ndryshimet Kushtetuese nuk mendon njëlloj.

"Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.

Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Ndaj është koha t'i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.

E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët! Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa" mbyllet reagimi i Presidencës.