Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca kanë shkuar në zyrën e kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Ambasadorët ndodhen në selinë blu, ku mendohet se në fokus të takimit të jenë hapja e listave me miratimin e ndryshimeve kushtetuese ditën e sotme nga parlamenti.

Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Basha reagoi ashpër duke thënë se nuk do i njohë dhe se refuzoi ftesën e kryeministrit Edi Rama që të ulen dhe të vijojnë diskutime për reflektimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor për listat dhe koalicionet.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama tha se Basha u nxitua me vendimin për të refuzuar ftesën për t'u ulur në tryezë për të integruar ndryshimet kushtetuese për listat dhe koalicionet në Kodin Zgjedhor. E ndërsa e fton sërish që të reflektojë, Edi Rama i bën edhe një paralajmërim se nuk do ta presë gjatë.

Ditën e sotme Kuvendi vendosi të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë. Me 106 vota pro, nga 94 është miratuar hapja e listave.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:36
Yuri Kim i shkon në zyrë, tërhiqet Basha! PD: Nesër qëndrimi i opozitës për Këshillin Politik dhe hapjen 100% të listave

Vizita e Yuri Kim dhe Ambasadorit Soreca në selinë blu ka bërë që PD të tërhiqet nga reagimi i fortë se nuk do të njoh ndryshimet kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka deklaruar se nesër opozita e bashkuar do të dalë më një qëndrim zyrtar për vijimin e punës në Këshillin Politik për hapjen e listave 100 %. Ndërkohë ai thekson se 5 qershori nuk preket dhe se në të ka dy nene që përcaktojnë koalicionet parazgjedhore me listë të veçantë të partive dhe formulën e ndarjes së mandateve.

"Këto janë nenet e miratuara të Marrëveshjes së 5 Qershorit, që rregullojnë formulën e koalicioneve parazgjedhore me listë të veçantë të partive dhe formulën e ndarjes së mandateve. Këto nuk rihapen dhe janë të paprekshme! Nesër qëndrimi zyrtar i PD dhe Opozitës së Bashkuar për vijimin e punës në Këshillin Politik për hapjen 100 % të listave të kandidatëve", shkruan Bardhi në twitter.

Nenet e publikuara nga Gazment Bardhi të marrëveshjes së 5 qershorit

Më herët Basha refuzoi  ftesën e kryeministrit Edi Rama që të ulen dhe të vijojnë diskutime  për listat dhe koalicionet, pro duket se vizita e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadorit Soreca në selinë blu kanë zbutur qëndrimin e tij dhe të hedh një hap pas për ta diskutuar sërish me aleatët e tij këtë qëndrim.