Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka cilësuar shkarkimin e Kurtit nga posti i kryeministrit si një emergjëncë kombëtare. Ai tha se Kurti nuk ka sjellë asnjë lloj zhvillimi për vendin dhe e akuzoi se po përpiqet të shpëtojë nga dështimet duke përdorur kriminelët në veri të vendit.
Sa i takon situatës aktuale të Kosovës në skenën ndërkombëtare, Haradinaj shkruan se Kurti është person i pabesueshëm për aleatët euroatlantikë.
“I zbuluar dhe i kapun në mashtrim. I humbur në qeverisje dhe i pashpresë për ekonomi, arsim e shëndetësi; I zhytur në korrupsion dhe i kapun në hajni; I pabesueshëm për aleatët euroatlantikë; I kapun në pabesi dhe i dënuar prej tyre, Kurti po kërkon shpëtim te kriminelët në veri; S'e shpëtojnë as ata, s'e ka drejtësi për të gjithë dhe ka për të pasur për popullin e shumëvuajtur të Kosovës edhe nga e keqja Kurti. Prandaj shkarkimi i Kryeministrit dhe Qeverisë, është urgjencë kombëtare”- shkruan Haradinaj.
Ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, Kurti ka prezantuar 5 pikat e planit të tij për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Por ky plan siç duket nuk është mirëpritur nga BE që u raportua se po përgatit një paketë sanksionesh si ‘dënim’ për Kosovën për shkak të tensioneve të krijuara në veri të vendit. Po ashtu ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama njoftoi anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme në Gjakovë.