Haradinaj: Nuk pranoj kushtet e Serbisë taksa mbetet në fuqi

Haradinaj: Nuk pranoj kushtet e Serbisë taksa mbetet në fuqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për presionin që po i bëhet Prishtinës zyrtare për ta hequr taksën ndaj prodhimeve të Serbisë në mënyrë që t'i hapet rruga dialogut me Kosovën. Haradinaj thotë, se nuk i pranon kushtet e Serbisë. Kryeministri kosovar tregoi se edhe dy këshilltarët e kancelarës gjermane, Angela Merkel, që vizituan Kosovën dhe Beogradin, i kërkuan atij që ta heqë taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, në mënyrë që t'i hapet rruga dialogut.

"Pozicioni i Berlinit është i qartë, dialogu është i rëndësishëm dhe ai duhet të vazhdojë, taksa është pengesë, hiqeni taksën”, tregoi kryeministri Ramush Haradinaj qëndrimin që kishin dy këshilltarët kryesorë të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg.

Kushti i Serbisë për vazhdimin e dialogut me Kosovën është që qeveria e Kosovës ta heqë taksën. Këtë po e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare, së fundi edhe SHBA-ja përmes nënsekretarit amerikan për ҁështje politike, David Hale dhe Gjermania përmes dy këshilltarëve kryesorë të Merkelit, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, të cilët vizituan Kosovën dhe Beogradin.

Kjo situatë e ka nervozuar kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj, i cili tha se Serbia po nxjerr kushte që mos të hyjë në dialog me Kosovën. Pra, Kosova sipas tij nuk po e bllokon dialogun, por Serbia, ndërsa, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë presion te Serbia, por i bën presion viktimës (Kosovës).

"S'kam lyp garanci. Kam fol për kontratë. I besoj Amerikës dhe kur ata thonë diçka e di se është ashtu. Por, për shumë arsye ne po kërkojmë një kontratë me elementet përbërëse të saj, përfshirë ekonominë dhe tregtinë e lirë. Kjo është ajo që po kërkojmë. Garanci më të madhe se njohja e Amerikës s'mund të kemi. Megjithatë, për marrëdhëniet Kosovë-Serbi na intereson të dimë elementet e kontratës. Unë u besoj amerikanëve dhe si të më thonë kjo është formula, unë u besoj. Ne po kërkojmë kontratë të dimë ka shkon dialogu. Dialogun e ka bllokuar Beogradi, sepse ata thonë se pa u heq taksa s'ka dialog. S'e kemi bllokuar ne”, tha kryeministri Haradinaj, duke bërë të ditur edhe njëherë qëndrimin e tij, se nuk u nështrohet presioneve dhe nuk e heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, derisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ramush Haradinaj, pranon se me presidentin Hashim Thaҁi dhe partnerin e tij të koalicionit, kryetarin e kuvendit Kadri Veseli, kanë pikëpamje të ndryshme në disa pika, përfshirë edhe taksën ndaj Serbisë, por sipas tij, janë unik për platformën për dialog, që u miratua ditë më parë në kuvendin e Kosovës.

"S'mund të thuhet se Kosova s'po flet me një zë. Kemi delegacionin që është votuar edhe me ligj dhe ky është uniteti i Kosovës. Jemi të gatshëm të dialog, kur të jenë pala tjetër gati ne i presim”, tha Haradinaj.

E pala tjetër Serbia, pos që kërkon nga Kosova heqjen e taksës për ta vazhduar dialogun, thotë se edhe platforma për dialog e Prishtinës e ka vështirësuar mundësinë e dialogut, dhe në thelb sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, ”Platforma e Prishtinës është bllokim i dialogut Kosovë-Serbi”.

Presidenti i Serbisë tha se "qëndrimi i Beogradit karshi situatës së re të krijuar do të jetë i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm”.

"Në një afat relativisht të shkurtër kohor do të ndërmarrë masa përmes të cilave do të reagojë ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe ndërprerjes së dialogut me Serbinë nga ana e Prishtinës”, tha Aleksandër Vuciq, thuhet në një komunikatë të Presidencës së Serbisë. Vuçiq thuhet më tej "ka paralajmëruar prej kohësh përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe ekipin e saj se miratimi i platformës së Prishtinës nuk lë vend për kompromis dhe si e tillë ajo është kundër dialogut”.

Kuvendi i Kosovës, të enjten e javës së shkuar miratoi platformën e dialogut, ku Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t'u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, "do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.

"Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme Kosovë-Serbi, duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”, thuhet në platformën e Prishtinës. /DW

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë