Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për deportimin e gjashtë shtetasve turq, ka thënë se Kosova do t’i ruajë marrëdhëniet me Turqinë. Ai në emisionin “Debat D Plus”, të RTV Dukagjini, ka përsëritur se Turqia e ka njohur Kosovën, njëra prej shteteve të para, ka qenë përkrahëse në planin ndërkombëtarë, dhe Kosova ka interes t’i ruajë këto marrëdhënie me Turqinë.
Por, Haradinaj e konsideron të papranueshme ndërhyrjen e presidentit të Turqisë, Erdogan, në punët e brendshme të Kosovës.
“Nuk i nënshtrohem ndonjë diktati të ndonjë burri shteti të huaj, por për punë të brendshme të Kosovës, në këtë rast të presidentit Erdogan, për mua është e papranueshme”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se si kryeministër punët e Kosovës do t’i kryejë pa e pyetur Erdoganin.
“Unë jam shqiptar, jam në atdheun tim, në tokën time, unë e respektojë Turqinë, nuk jam përzier në asnjë punë të brendshme të tyre… dhe punët e Kosovës do t’i kryejë pa e pyetur Erdoganin.” tha Haradinaj.