Haradinaj: Synojmë partnerë
mundësisht jashtë PDK-së

Haradinaj: Synojmë partnerë <br />mundësisht jashtë PDK-së
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për zgjedhjet e ardhshme dhe mundësinë e qeverisjes me vendin, ka pohuar se Partia Demokratike e Kosovës, do të ishte mundësia e fundit për koalicion.

Ai ka thënë se për partner do të pranonte Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe LDK-në, duke u shprehur kështu i bindur se në zgjedhjet e ardhshme AAK, do të dalë fituese. Ish kryeministri Ramush Haradinaj, këto komente i ka bërë të mërkurën, ku në mënyrë solemne AAK-së i janë bashkëngjitur 47 anëtarë të rinj nga kryeqyteti.

Haradinaj, ka sqaruar edhe një herë se oferta e ofruar nga partia e tij për qeverisjen me PDK-në, është keqkuptuar nga mediat, duke pohuar se oferta e AAK-së ka qenë e qartë, që Hashim Thaçi të heqë dorë nga, siç tha ai, qeverisja e dështuar.

Ai, edhe njëherë, ka deklaruar se partia që ai drejton, çdo ditë e më shumë, po rritet dhe po forcohet, prandaj, qysh tashmë ka filluar të mendojë për partnerin qeverisës, pasi që pretendon se AAK do të del e para në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

“Ne synojmë partnerë mundësisht jashtë PDK-së. Do të thotë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme që mund të ndodhin në rrethanat politike, por synojmë jashtë PDK-së, si partner politik. Ata nuk mbesin shumë. Nuk përjashtojmë as Vetëvendosjen e as LDK-në. E fundit PDK-ja”, ka thënë ai.

Haradinaj, me këtë rast ka mirëpritur 47 anëtarët e rinj prishtinas që aderuan në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke shprehur bindjen e tij se, AAK do t’u jap hapësirën e duhur për të shfrytëzuar kapacitetet e tyre ekzistuese.

Sejd Tolaj, njëri ndër anëtarët e rinj të AAK-së, ka treguar arsyet e aderimit në AAK, duke thënë se për zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohen të rinjtë, kanë vetëm një adresë, e që, sipas tij, ajo është AAK-ja.

“Jemi të vetëdijshëm si gjeneratë më e re se vendi po ballafaqohet me probleme të ndryshme, duke filluar nga niveli i ultë i qeverisjes në vend. Duke filluar nga kualiteti i dobët i demokracisë në vend, pastaj nga sundimi i rendit dhe ligjit, nga standardi i ulët jetësor i qytetarëve dhe temave që janë të një rëndësie jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës. Andaj AAK-në e shohim të vetmen alternativë që ka përgjigje në këto tema”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri, kryetar i Degës së AAK-së në Prishtinë, ka mirëpritur aderimin e anëtarëve të rinj dhe ka shtuar se së bashku do të punojnë për ta bërë një kryeqytet të mundësive, e jo siç është tani.

“Ajo që ne po bëjmë në Prishtinë është se ne kemi filluar të bëjmë një strukturim të ri edhe të degës, mirëpo edhe të gjitha nëndegëve nëpër lagje, në mënyrë që aty ku ka energji, vullnet dhe guxim të ballafaqohemi me ndryshimin kjo me ndodhë. Ne e kemi marrë listën prej profesor Tolajt dhe do t’ju kontaktojmë në mënyrë që të bashkohemi në bërthamën e Aleancën për Prishtinën, që ne e quajmë një aleancë për ndryshim që do të krijon një kryeqytet tjetër dhe një qytet të mundësive e jo fare është tani”, ka thënë ai.

Anëtarët e rinj, të cilët sot aderuan në AAK, i përkasin profileve dhe shtresave të ndryshme, e të cilët, sipas drejtuesve të kësaj partie, kanë kapacitetet e duhura për të bërë ndryshime pozitive në kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Marrë nga gazeta Express
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve