PRISHTINË - Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, tha sot në një konferencë shtypi se "me marrëveshjen e mbrëmshme PDK-LDK  u bënë bashkë dy shkollat e dështuara qeverisëse të vendit".

"Tashmë të gjithë jemi njoftuar për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë. Një qeverisje e tillë pati dështuar si mos më keq gjatë viteve 2008-2010.
Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes (në Kosovë dhe në Prishtinë) janë dëshmuar si të dështuara", u shpreh Haradinaj.
"Do të dështojnë sërish. Është çështje kohe, por fatkeqësi për vendin. Kosova do të vazhdojë të jetojë, dhe të ndërtohet, por unë kam pritur se do ta shpejtojë hapin. Hapat prapa do t'i kushtojnë Kosovës shumë", tha Haradinaj.
"Kam besuar në ndryshim. Jam angazhuar parreshtur për të ndërtuar demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Për Kosovën, për shtetin, shoqërinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë", shtoi ai.
Sipas liderit të AAK, "mënyra e këtillë e ndërtimit të institucioneve do ta thellojë kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni, ngulfatjen e demokracisë - duke e ngulfatur shoqërine civile dhe mediat, përmes instrumentalizimit të tyre dhe do ta bëjë shumë të vështire punën e opozitës".
"Ne e dimë se sa vështirë është me qenë në opozitë, në këto rrethana, por, po ashtu e dimë se sa jetike për Kosovën është një opozitë e fortë, në këto rrethana. Ju bëj thirrje përkrahësve dhe strukturave të Aleancës, qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie politike, fetare apo etnike, shoqërisë civile dhe mediave, kolegëve të partive opozitare, që të mos nënshtrohemi dhe të mos e pranojmë kapjen e shtetit", tha Haradinaj.
"Aleanca nuk do të nënshtrohet dhe nuk do të pranojë kapjen e shtetit. Kapja e shtetit i ka ditët e numëruara.Mbetem fuqishëm i përkushtuar që t'i ofrojë Kosovës qeverisje zhvillimore, dhe vetëm qeverisje zhvillimore", përfundoi lideri i AAK-së./ATSH/