Trembëdhjetë familjet e nxjerra prej tri ditësh nga banesat që pretendojnë se pronë e tyre, ndërsa akuzojnë gjykatat për vendime të korruptuara në favor të një personi të tretë. Ata kanë akuzuar me emër gjyqtaren Blerina Muça, me të cilën edhe dje kanë pasur një seancë gjyqësore për këtë çështje.

Vendimet e gjykatave nuk interpretohen, por apelohen ose jo. Por, kur krijohen probleme të tilla, që kanë të bëjmë me prona shumë të kushtueshme, që kanë në dorë fatin e dhjetra banorëve, në mes të kryeqytetit, instancat më të larta nuk mund të rrinë duarkryq.

Shtatorin e vitit të kaluar, në Shijak u ekzekutua shefi i Komisariatit, Adem Tahiraj. Policia arrestoi si autor të ngjarjes Ilir Xhakjen, i njohur mirë nga njerëzit e drejtësisë, edhe nga politika. Ishte “lënë në harresë”, edhe pse kishte problem të hapura me drejtësinë. Pas vrasjes së komisarit u kujtuan: Po ky ç’në i lirë?

A mos vallë duhet të ishte në burg për një vrasje të disa viteve më parë? Në fakt kështu rezultoi. KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë nisën për në Gjykatën e Durrësit inspektorët, të cilët panë dosjen. Nga verifikimet, rezultoi se përgjegjës ishte gjyqtari Neritan Tabaku. Ai nuk kishte zbardhur vendimin e tij ndaj Xhakjes, duke mos i lënë prokurorisë mundësi që ta apelonte lirimin e tij, akuzuar për vrasje. Tabaku u shkarkua nga KLD, ndaj tij nisi procesi gjyqësore. Por, shumë vonë. Adem Tahiraj ishte vrarë.

Edhe 13 familjet e nxjerra forcërisht nga banesat e tyre, prej tri ditësh akuzojnë gjykatën, gjykatësen. Ato u nxorrën në rrugë të madhe, dje nisën dhe një grevë urie. Ndoshta nuk kanë aspak të drejtë, por dokumentet që kanë, tregojnë të kundërtën.

Në këtë situatë, kur ka shumë dyshime, a mund të verifikohen dosjet, ashtu siç u bë me Ilir Xhakjen? KLD është institucioni më i lartë i drejtësisë, siç dhe ka emrin. Anëtarët e tij dhe nënkryetari flasin për drejtësi, për ligj, por vetëm flasin.

Kur 13 familje, të nxjerra me dhunë e nën të shtëna armësh nga banesat e tyre, ku ndodhen që në vitin 1944, janë jashtë, dje, sot, nesër... edhe pse prej vitesh enden gjykatave e kërkojnë, as më pak e as më shumë, të mbajnë pronën e tyre. Kur mund të kujtohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë të inspektojë dosjen e tyre, atëherë kur ndonjëri të flijohet në grevë urie, siç ndodhi me Xhakjen, i cili flijoi komisarin e Shijakut, pa asnjë shkak?

Në kushtet, se si zgjidhen anëtarët e KLD-së e deri te nënkryetari, drejtësia duket larg. Kur presidenti zgjidhet nga mazhoranca qeverisëse, i cili është edhe kryetar i KLD-së, kur nënkryetar i KLD-së është një njeri që njihet për bindjet e tij politike, duket i vështirë inspektimi i dosjeve të dyshimta, pa u vrarë ndokush, duke bërë që besimi te drejtësia të venitet, aq më tepër, po të mendohet, se si gjykatës që i shërbejnë mazhorancës, shpërblehen me poste të mira deri në majat e institucioneve të gjyqësorit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (26.04.2013)

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)