PLANIFIKIMI
Segmentet e Unazës që ende kanë mbetur pa u ndërtuar janë dy: Sauk - Farkë - Shkozë - Rrapi i Trishit; ky segment lidh segmentin Komuna e Parisit - Rruga e Re Tiranë - Elbasan me segmentin Babrru - Bregu i Lumit - Kthesa Kamëz dhe Doganë - Bregu i Lumit; ky segment lidh segmentin Babrru - Bregu i Lumit - Kthesa Kamëz me segmentin Shkolla Teknologjike - Rruga e Durrësit. Segmenti i parë shtrihet në pjesën lindore dhe verilindore të qytetit të Tiranës, pjesërisht brenda kufirit administrativ të Bashkisë Tiranë dhe pjesa më e madhe në territorin e Komunave Farkë dhe Dajt. Segmenti i dytë shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës dhe ndodhet tërësisht brenda kufirit administrativ të Bashkisë Tiranë.
Në fakt, ideja dhe planifikimi i një vepre të tillë infrastrukturore nuk janë aktuale. Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës plotëson zbatimin e një segmenti kryesor të një unaze më të madhe për qytetin e Tiranës, e cila ka qenë ideuar në vitet 1980 dhe ka filluar të zbatohet ne vitet 1990 (nga Dogana tek Shkolla Teknologjike). Unaza e plotë rreth zonës kryesore urbane të Tiranës është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2020. Unaza e Tiranës ka një gjatësi të përgjithshme rreth 22-23 km. Aktulisht, ky aks rrugor është inekzistent. Ai figuron vetëm në planet rregulluese perspektive të qytetit të Tiranës, të hartuara që para viteve '90.
Zgjidhja e parashikuar në këtë projekt mbështetet në standardin e përcaktuar në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor, me dy vija kalimi 2 x 3.75 m, një brez sigurie 2 x 2 x 0.75 m, bankina 2 x 1 m, kurorë të përgjithshme të rrugës 22 m. Rruga është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie dhe me hyrje-dalje të disiplinuara. Për pjesën veriore të Unazës ende nuk ka hollësira, përveç gjurmës kryesore të rrugës.
PRISHJET
Ndërkohë që ka avancuar ndërtimi për segmentin nga kompleksi Kristal deri tek rotondo e TEG-ut dhe është gati për të filluar edhe ai nga Teknologjikja drejt Komunës së Parisit, çështja që shtrohet fuqishëm është ajo lidhur me prishjen e banesave të ndërtuara dhe që ndodhen në gjurmën e Unazës. Në pjesën lindore, kryesisht rruga kalon në zona të pabanuara, duke qenë se ajo anashkalon Farkën dhe liqenin e saj, me zona rezidenciale, por problemi shtrohet në gati gjithë pjesën tjetër të Unazës. Sipas planit, prishje banesash do të ketë në segmentin e mbetur perëndimor, nga Ura e Shkollës Teknologjike deri te zona e Komunës së Parisit, po ashtu edhe në pjesën lindore e veriore, duke filluar nga hyrja e trasesë në zonën e Shkozës, më pas në Kodrën e Priftit, në Shtish Tufinë, Babrru e Paskuqan.
Në zonën e Shkozës, gjurma kalon nga pas ish-Uzinës së Autotraktorëve, duke harkuar përqark kodrës, pothuaj në pjesën fundore të saj e duke kthyer drejt perëndimit, për të minimizuar prishjen e objekteve, si dhe për të shmangur gërmimin masiv të shpateve që mund të japin shkarje masive. Megjithatë, kjo është një zonë e ngarkuar me ndërtime të reja të tipit nga një deri në tre kate, që përbën pengesë për rrugën.
Unaza planifikohet të zbresë në faqen veriore të Kodrës së Priftit, ku kryqëzon rrugën e Kokonozëve dhe një përrua, që kalon në anë të saj e më pas hyn në zonën e Kinostudios. Edhe kjo është një zonë e ngarkuar me ndërtime të bëra pas viteve '90, ku është e nevojshme të prishen një serë objektesh. Unaza kryqëzon edhe rrugën nacionale Tiranë-Dajt, ku është parashikuar ndërtimi i një rotondoje në disnivel.
Unaza kryqëzon edhe Rrugën e Arbërit, ende në projekt, ku kalimi është zgjidhur me disnivel dhe është parashikuar ndërtimi i një rotondoje në disnivel dhe rampat për hyrje-dalje në Unazë.
POPULLSIA
Autoriteti Rrugor ka hartuar një plan të risistemimit të njerëzve të prekur nga zbatimi i këtij projekti. Grupet e mundshme të interesit në projekt janë identifikuar si më poshtë: njerëzit e shpërngulur fizikisht ose ekonomikisht (që banojnë apo nuk banojnë por janë pronarë); njerëzit e prekur nga ndikimet mjedisore apo sociale të ndryshme nga marrja e tokës, etj.
(Lajmi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)