Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të qëndrojë në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e vendimit për çështjen ku ai gjykohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e tij.

Në vendimin e datës 10 gusht, gjyqtarët thonë se nuk ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Thaçi do t'i shmangej drejtësisë nëse lirohej. Megjithatë, sipas tyre, mbetet rreziku që ai të pengojë ecurinë e procedurave ose të ndikojë te dëshmitarët.

Sipas vendimit, ekziston rrezik i mjaftueshëm që Thaçi, nëse lirohet, të ndërhyjë në proceset e Dhomave të Specializuara ose të kryejë vepra penale ndaj personave që mund t'i konsiderojë kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.

Aktgjykimi për ish-komandantët e UÇK-së do të shpallet më 16 shtator 2026. Për këtë arsye, Trupi Gjykues ka vendosur se nuk është më i nevojshëm shqyrtimi i radhës për masën e paraburgimit, i cili ishte planifikuar të zhvillohej më 9 tetor.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i mohojnë akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.