Mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur të shpalosë argumentet me të cilat do të kërkojë rrëzimin e aktgjykimit në Apel. Avokati Luka Misetiç akuzoi Trupin Gjykues për shkelje të rënda procedurale, duke pretenduar se Specialja e lidhi ish-presidentin e Kosovës me vrasjen e Behajdin Allaqit, ndërsa provat për këtë rast i mbajti të fshehura nga publiku gjatë gjithë procesit.

Behajdin Allaqi ishte një anëtar i UÇK-së, për të cilin Trupi Gjykues arriti në përfundimin se u arrestua më 11 qershor 1998 në shtabin e UÇK-së në Drenoc, pak pasi aty mbërritën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Sipas aktgjykimit, ai u vra, ndërsa më pas u publikua një komunikatë ku pretendohej se kishte rënë dëshmor në betejë. Gjykata konstatoi gjithashtu se pas luftës pati përpjekje për ta bindur familjen e tij të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë.

Misetiç pretendon se, megjithëse gjykata e përdori këtë rast në arsyetimin e aktgjykimit, gjatë procesit kishte urdhëruar që ai të mos diskutohej në seancë publike dhe që provat të mbeteshin konfidenciale.

"Trupi Gjykues deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar që palët të mos e diskutonin këtë rast në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale. Kështu, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim i janë mbajtur të fshehura shqyrtimit publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste shqyrtimin publik të këtyre provave."

Avokati theksoi se Hashim Thaçi mohon çdo përfshirje në vrasjen e Allaqit dhe se kjo do të jetë një nga çështjet kryesore që do të ngrihen në apel.

"Z. Thaçi e mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje."

Avokati kroat ngriti gjithashtu pretendime edhe për mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke argumentuar se ndërhyrjet e Trupit Gjykues kanë krijuar përshtypjen e mungesës së paanshmërisë.

"Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe aktgjykimin e Trupit Gjykues."

Në përfundim, Misetiç konfirmoi se mbrojtja do ta ankimojë aktgjykimin, duke argumentuar se ai përmban gabime faktike, ligjore dhe procedurale që, sipas tij, kanë cenuar drejtësinë e procesit.


Lajmi kryesor:

'Ruani qetësinë', mesazhi i parë i Hashim Thaçit pas dënimit nga Haga! Falënderon qytetarët për mbështetjen, avokatët konfirmojnë apelimin