Hasko, fjala e lamtumirës
e shkruar para vdekjes

Hasko, fjala e lamtumirës<br />e shkruar para vdekjes
Ka qenë ora 12.30 e të mërkurës, kur arkivoli me trupin e shkrimtarit për fëmijë, publicistit Skënder Hasko, ka prekur tokën që e lindi në Dukat të Vlorës. Në funeralin e tij kanë qenë të pranishëm qindra njerëz, shkrimtarë, artistë, familjarë, miq dhe bashkëfshatarë të tij.

Mbi varrin e tij, që u shndërrua në një mal me lule, fjalën e përcjelljes e mbajti shkrimtari, kritiku Pandeli Koçi, një ndër miqtë e tij të afërt. Ishte tronditëse fjalia e parë e Koçit, ndërsa u bëri të ditur pjesëmarrësve, që ajo që po po u lexonte ishte letra e lamtumirës që ka shkruar vetë Skënderi dhe që e la amanet për ta lexuar në këtë moment të dhimbshëm, përpara varrit të tij. “Fjalën e lamtumirës, ma dorëzoi dy ditë përpara se të mbyllte sytë”. Kështu u shpreh shkrimtari dhe miku i ngushtë i të ndjerit Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, i përlotur. “Më tha e ke amanet, kjo është fjala që duhet të mbani përpara varrit tim’ dhe nuk ndjehej aspak i ligështuar.

E kish shkruar me dorën e tij, e kish korrigjuar, madje shkruar edhe në kompjuter dhe ma la në dorë. Nuk guxova ta lexoja në sy të tij, nuk mundesha edhe sot ta lexoj përpara varrit, ndaj ia dhashë mikut tonë të përbashkët, shkrimtarit Pandeli Koçi. Nuk e ka bërë kush këtë gjest, kjo tregon guximin dhe trimërinë e tij edhe para vdekjes”, thotë Xhama. Ndërsa Luftar Paja, Artist i Popullit, u shpreh se “Burrat nuk qajnë, por dhimbja për Skënderin dhe letra e lamtumirës, që ai kishte lënë, na përloti”.

Dje gjatë homazheve prof. Bardhosh Gaçe është se “Pjesëmarrja e kaq shumë njerëzve në përcjelljen e shkrimtarit, mikut tonë Skënder Hasko, tregon vlerat e këtij njeriu, për të cilin duhet të shprehim mirënjohjen për krijimtarinë e tij letrare, nëpërmjet së cilës janë edukuar dhe do të edukohen brezat. Vlerat e padiskutueshme të shkrimtarit Skënder Hasko, janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe Shqipëria krenohet me këtë shkrimtar të madh”. Skënder Hasko një vit më parë humbi bashkëshorten nga një sëmundje e rëndë. “Ndjenja se një ditë do të ikte, pas vuajtjesh shpirtërore, hidhërimit për humbjen e bashkëshortes dhe sëmundjes që e pllakosi, e nxiti Skënderin të linte letrën e lamtumirës, që të nderonte miqtë, sepse ai e dinte që e donin dhe do t’i vinin të gjithë në ditën e varrimit”, tha dje Pandeli Koçi për “Shqiptarja.com”, pasi kishte lexuar letrën të cilën po e botojmë më poshtë të plotë:

Letër-Lamtumire

“Të dashurit e mi, fëmijë, vëllezër dhe motër, nipër dhe mbesa, kushërinj dhe kushërira, bashkëfshatarë, miq e shokë.
Megjithëse nuk shoh, nuk dëgjoj dhe nuk ndjej, e di që jeni këtu rreth meje, pranë “shtëpisë” sime të përjetshme, e cila ka hapur derën dhe po më pret të hyj dhe pastaj të mbyllet për të mos u hapur më kurrë, ashtu si për miliona e miliona të tjerë, që kanë ardhur këtu para meje. Ju faleminderit.

Njerëzit e mi, ua shpërblefshim në gëzime. Duhet të dini se ju kam dashur shumë. Por ashtu si të gjithë njerëzit edhe unë mund të kem lënduar ndokënd, veçse, ju betohem për ç’kam pasur më të shtrenjtë, për fëmijët e tërë njerëzit, mund të ketë ndodhur nga pakujdesia, ose nga nxitimi, prandaj, kushdo qoftë, të më falë. Ajo falje do të më ngrohë ndaj do ta marr me vete dhe do të falë me të, atje ku do të shkoj. Edhe unë i kam falur të gjithë ata, që më kanë plagosur shpirtërisht me bëmat e tyre. Le të jetojnë të qetë, se unë….

Ashtu, si gjithë ata që shkojnë
Po i them jetës, lamtumirë,
Nga unë më, nuk do të dëgjoni
As qysh u ngryse,as qysh je gdhirë,
Po pse erdha në Dukat?
Dëgjojeni!
Dukati im, në djepin tënd erdha në jetë,
Dhe Ti më mësove, të eci vetë.
Brodha Evropën e shkela çdo vend,
Po askush se zuri dot vendin tënd.
Asnjë mrekulli s’më hyri në sy,
Se unë në mëndje të kisha vetëm ty.
Shkova dhe ku nuk shkova nëpër Shqipëri,
Po mendjen dhe zemrën, i kisha lënë tek ti.
Ndaj po vij të tretem në gjirin tënd-valë,
Se unë të kisha prind dhe ti më kishe djalë.
Me dheun tënd, trupin do përziej,
Që ngrohtësinë tënde, ditë e natë, ta ndjej.
Lamtumirë, o njerëz të dashur. Jetofshi nga 100 vjet ju dhe fëmijët tuaj
Skënder Hasko.”


Birçe Hasko Na iku vëllai më i mirë
Aktori i njohur Birçe Hasko ishte ndihej mjaft i hidhëruar për largimin e të vëllait, Skënder Haskos. “Na iku vëllai më i mirë”, tha ai dhe nuk i përmbante dot lotët. “Po e përjetoj keq, sikurse e shihni jam ulur dhe po kaloj një tension të lartë.

Është e dhimbshme ikja e vëllait, por ai ishte vërtetë më i miri”, shprehet aktori i njohur, duke shtuar se “Përveç dhimbjes që ndjejmë sot, ndjejmë edhe krenarinë, për shkrimtarin, publicistin, njeriun e mirë, që guxonte për të thënë të vërtetën.

Ai la pas një pasuri të madhe krijimtarie, por edhe emrin e mirë, gjë që na bën krenarë”. Ndërsa e pyesim për pengjet ose dëshirën e fundit të të vëllait, Hasko tregon se “Po, ai kishte vetëm një dëshirë. Të festonte 77-vjetorin, që e kish më 2 mars dhe të vdiste më 3 mars, por sëmundja e bëri të sajën”.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 7 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit