Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti në Europë me një mesazh të qartë: rendi gjeopolitik po hyn në një fazë të re.

“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë,” u tha ai gazetarëve, kur u pyet nëse mesazhi i tij për europianët do të ishte më pajtues krahasuar me një vit më parë.

“Jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë dhe kjo do të kërkojë që të gjithë të rishohim se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë,” shtoi ai.

Rubio do të drejtojë delegacionin amerikan në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ngjarja e parë e madhe globale që prej kur president Donald Trump kërcënoi sovranitetin danez me zotimin për të aneksuar Groenlandën.

Në agjendën e konferencës janë lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe mundësia e një marrëveshjeje bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.

Rreth 50 liderë botërorë pritet të marrin pjesë. Në fokus do të jenë mbrojtja europiane dhe e ardhmja e marrëdhënies transatlantike, në një kohë kur angazhimi amerikan ndaj NATO-s është vënë në pikëpyetje.

Tensionet janë rritur muajt e fundit, pasi president Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ai ka thënë, pa paraqitur prova, se territori është “i mbuluar me anije ruse dhe kineze”.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se do të takohet me Rubion për të diskutuar kërcënimet amerikane për marrjen e territorit gjysmë-autonom, aleat i NATO-s.

Në prag të konferencës, tetë ish-ambasadorë amerikanë në NATO dhe tetë ish-komandantë supremë amerikanë në Europë publikuan një letër të hapur ku i bënë thirrje Uashingtonit të ruajë mbështetjen për aleancën.

Ata thanë se NATO nuk është “bamirësi”, por një forcë që i lejon SHBA-së të ushtrojë ndikim dhe fuqi në mënyra që do të ishin të pamundura ose shumë të kushtueshme vetëm.

Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, tha se e pranon që “bota ka ndryshuar” dhe se shpreson që lidhja transatlantike të mbetet e fortë. Ai paralajmëroi se do të duhet kohë para se Europa të marrë plotësisht barrën e sigurisë nga amerikanët.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi mbërriti në Mynih, tha se konferenca do të sjellë “hapa të rinj drejt sigurisë sonë të përbashkët”.

Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina njoftuan se do të marrin pjesë në një raund tjetër bisedimesh me SHBA-në më 17 dhe 18 shkurt në Gjenevë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

Vitin e kaluar, në të njëjtën konferencë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance sulmoi Europën për politikat mbi lirinë e shprehjes dhe emigracionin, duke shkaktuar tensione të forta transatlantike.

Së fundmi, president Donald Trump ka vendosur tarifa doganore dhe ka sugjeruar në strategjinë kombëtare të sigurisë se vendet europiane mund të mos mbeten aleatë “të besueshëm” në afat të gjatë.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Europa duhet të përgatitet për më shumë pavarësi nga SHBA-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se lidhjet transatlantike mbeten të afërta dhe të rëndësishme.

Kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger, deklaroi se politika e jashtme e Shtëpisë së Bardhë “po e ndryshon tashmë botën” dhe se pasojat e plota të këtyre ndryshimeve sapo kanë nisur të shfaqen./BBC

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Merz në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Europa duhet të rivendosë marrëdhëniet me SHBA-të

1770993141_friedrichmerz.JPG

Kancelari gjerman, Friedrich Merz

Kancelari gjerman, Friedrich Merz bëri thirrje të premten për një Europë më të fortë për të rivendosur marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një fjalim për hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Merz paralajmëroi se SHBA-të nuk mund të vepronin vetëm.

Sipas saj, Europa gjithashtu duhet të forcojë mbrojtjen e saj.

“Në epokën e rivalitetit të fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm. Të dashur miq, të qenit pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh konkurrues i Evropës. Është gjithashtu avantazh konkurrues i Shteteve të Bashkuara.", theksoi ai.