MAMURRAS - Pa kaluar 24 orë nga apeli drejtuar shtetit i Nexhmije Shkretës për t'i shpëtuar djemtë nga një vrasje e mundshme për shkak të hasmërisë, plumbat i marrin jetën njërit djalë dhe i plagosin djalin tjetër.

Pasditen e sotme, (e dielë) rreth orës 17:00 djali i saj i madh Gentian Shkreta mbeti i vrarë, ndërsa djali i vogël 20-vjeçar Leli Shkreta ka mbetur i plagosur, teksa ishin duke kaluar mbi lumin Droj. Policia e Kurbinit deklaroi fillimisht se është plagosur me armë 20-vjeçari Leli Shkreta, ndërsa u theksua se një kufomë ishtë gjetur disa kilometra larg vendit ku u plagos 20-vjeçari.

Sipas informacioneve paraprake të policisë dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Por pas verifikimeve u vërtetua se bëhej fjalë për një atentat ndaj dy vëllezërve Shkreta, si pasojë e të cilit mbeti i vdekur Gentian Shkreta, ndërsa u plagos i vëllai, Leli Shkreta.

Policia nuk ka sqaruar ende faktin përse është gjetur aq larg vendit të ngjarjes ku u njoftua plagosja, trupi i pajetë i Gentjan Shkretës, por konfirmohet se kufoma kishte dëmtime të shumta, çka lë dyshime edhe për ndonjë torturim të mundshëm të tij.

Ndër personat që dyshohen si autorë të ngjarjes së rëndë të jenë shtetasit Jetmir Llanaj dhe xhaxhi i tij Muharrem Llanaj. Mendohet se ngjarja ka lidhje me historinë e hakmarrjes mes dy fiseve, atij Shkreta dhe atij Llanaj në Fushë-Mamurras dhe viktimë e kësaj hakmarrjeje mbeti një fëmijë Indriti 9 vjeç, nga fisi Llanaj dhe Mark Shkreta 71 vjeç.  

Në ndihmë të policisë së Kurbinit janë edhe forcat e policisë së Tiranës, si dhe agjentë të krimeve të Rënda. Deri tani janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit të paktën 70 persona.

20-VJEÇARI NE SPITAL
Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rënde ndaj është dërguar me urgjencë drejt spitalit Ushtarak në Tiranë.
Policia në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e plagosjes. Ndërkohë që sipas hetimeve paraprake dyshohet që kjo ngjarje të lidhet me vrasjen e ndodhur më 5 qershor (2012) të 9-vjeçarit Indrit Llanaj. Ishte pikërisht kjo ngjarje e cila krijoi edhe hasmërinë mes fiseve Shkreta - Llanaj. Hasmëria vijoi më 19 korrik me vrasjen e Mark Shkretës, babai 71-vjeçar i dy autorëve të cilët vranë më 5 qershor fëmijën 9-vjeçar.

VRASJA E PARALAJMERUAR DJE NGA NENA E TE PLAGOSURIT/ APELI I SAJ NE TV A1REPORT
Nexhmije Shkreta dje në një intervistë ekskluzive për Tv A1Report, i bënte apel shtetit që të mbronte familjen e saj nga hasmëria, pasi jeta e saj dhe e fëmijëve është në rrezik.  Ndërkohë që sot rreth orës 17:00 të, djali 20-vjeçar i kësaj familjeje mbeti i plagosur.

"Mbas vrasjes së djalit tim, që vrau djalin e Jetmit Llanaj gabimisht, aksidentalisht ndjehem shumë e kërcënuar se ai më vrau burrin, më prishi shtëpinë dhe jam shumë shumë keq me gjithë familjen.
Ky apel nuk është vetëm për Kryeministrin, është për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Presidentin, për Ina Ramën, për prokuroritë kush ka çështjet dhe për gjykatat dhe policitë që janë shumë të korruptuara", shprehet Nexhmija.