TIRANE- Mit’hat Havari ish-drejtori i policisë Shkodër që u akuzua rëndë nga Prel Pjetrushi, i kontaktuar nga gazeta “Shqiptarja.com”, u shpreh se nuk pranonte ti përgjigjej një personi siç është Prel Pjetrushi. “Unë nuk dua tia jap asnjë përgjegje atij njeriu, pavarësisht se çfarë ka deklaruar ai njeri për mua”-shprehet Mit’hat Havari. Dy ditë më parë Havari në një intervistë në media deklaroi se Pjetrushi e ka takuar për herë të parë, në Shkodër kur dhe është bërë prezantimi i tij, si drejtor policie. “Ky person reagoi për emërimin tim si drejtor në Shkodër. Filloi të bënte zhurmë në rresht, duke i thënë ministrit se “nuk jemi dakord me këtë emërim”.

Ministri Ceka e mbylli mbledhjen. Unë u shqetësova, pasi nuk kisha futur ende këmbët në zyrën time. Fillova detyrën në mënyrë korrekte në zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në Shkodër. Mora informacion nga zyrtarë të lartë të policisë atje, që këtu në Shkodër, është situatë e rëndë, pasi Prel Pjetrushi, me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë dhe terror dhe mbi dy drejtorë të tjerë që ishin emëruar në detyrën që unë mbaja, por që më pas ishin larguar pikërisht prej këtij presioni.

Kur unë e pashë në televizor Pjetrushin që dialogonte, menjëherë vendosa të reagoj në mënyrën time në faqen e FB, ku të shprehja indinjatën time që ky person, me gjithë atë veprimtari terrori që ka ushtruar në policinë dhe qytetin e Shkodrës, vazhdon të jetë i lirë”-shprehet Mit’hat Havari. Ndërkohë Havari nuk ka pranuar të komentojë asnjë nga akuzat e bëra nga Pjetrushi, duke pohuar se nuk merret me këtë njeri.


Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)