KUKËS - Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve ka inspektuar disa objekte në ndërtim në Kukës. Ministri deklaroi se këto vepra publike do të përfundojnë së ndërtuari, me standarde, dhe do vihen në shërbim të banorëve të këtij rajoni. 

Në inspektimin e realizuar në rrugën e Kombit, ministri tha se kjo rrugë ka shumë probleme, por tanimë do ndërtohet mbikalimi i shumëkërkuar në Breg Lum dhe do krijohen lidhjet me fshatrat. Ai shtoi se deri tani janë realizuar mbi 80% të punimeve, ndërkohë që brenda këtij viti dublimi i urave do të përfundojë. Sa i takon shpronësimeve, ai tha se kjo çështje është duke u diskutuar.

”Rruga duhet të shërbejë për zhvillim dhe është e domosdoshme që komunitetet përgjatë saj mos ta shikojnë si ndërtimin e një muri të pakalueshëm, por ta shikojnë atë si mundësi, lehtësi dhe aktivitet ekonomik. Në buxhetin e këtij viti kemi realizuar në kohë rekord planifikimin dhe realizimin e një nënkalimi për fshatin Pobreg, i cili ishte praktikisht i ndarë në pamundësi komunikimi në të dy anët e saj”, theksoi Haxhinasto

Ndërkohë, gjatë inspektimit në Aeroportin "Zayed Bin Sulltan", ministri Haxhinasto tha se ky aeroport ka nevojë për investime dhe se po shikohet mundësia e funksionalizimit të tij, përmes të cilit mund të punësohen më shumë se 200 persona. Ai shtoi se ky aeroport do vihet në punë, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë gjermane që administron aeroportin "Nënë Tereza".
“Uroj të jetë si një bazë e mirë për fluturime, veçanërisht për ato low cost. Kapacitetet që parashikohen të përpunojë ky aeroport mund të punësojnë mbi 200 punonjës, mundësi shumë e mirë për të rinjtë e qytetit”, tha ai.

Lidhur me cështjen e ujësjellësit të ri të Kukësit, Haxhinasto ka paralajmëruar nisjen e fazës së dytë të punimeve që do furnizojë me ujë 24 banorët. 

”Ky investim i ri do të sjellë furnizim me ujë për 24 orë për rreth 40 mijë mije banorë, me prurje mbi 250 litra në sekondë. Është një investim shumë i rëndësishëm, i cili ka pasur sagën e tij, por ky investim do të zgjidhë cdo problematikë dhe do të sjellë ujë në rubinetat e cdo qytetari”, tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto në inspektimet e kryera ka qenë i shoqëruar edhe nga kryetari aktual i bashkisë, Hasan Halilaj që garon në këto zgjedhje për një mandat të tretë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)