TIRANË, 4 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Në vijim të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të infrastrukturës së transportit, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori sot pjesë në takimin e 10 vjetorit të Observatorit të Transportit të Evropës Jug-Lindore (SEETO).
Në këtë takim merrnin pjesë Ministrat e Transportit të Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, si dhe Drejtori në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të KE, Jean-Eric Paquet.
Kryefjala e këtij takimi ishte konkretizimi i rrjeteve rajonale me investime dhe adoptimi i metodologjive të suksesshme evropiane për planifikimin, projektimin dhe implementimin e projekteve me rëndësi rajonale.
Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto i bëri referencë fokusit, që rajoni ka marrë në konferencën e Berlinit, në Gusht të këtij viti dhe ftoi Ministrat të bashkonin forcat për shfrytëzimin e kësaj mundësie, që po i jepet rajonit nëpërmjet krijimit të sinergjive, duke pasur një plan veprimi të përbashkët për zgjidhjen e sfidave në planifikim dhe implementim të investimeve, me qëllim final lidhjet intermodale të rrjeteve tona kombëtare me ato Evropiane.
"Ka ardhur koha  të vendosim për hapa konkrete të përbashkëta, sepse axhenda jonë për integrimin Evropian është e njëjtë; nevojitet më tepër koordinim për të planifikuar më mirë në menyrë që, sipas udhëzimeve edhe të Komisionit Evropian, të  nxjerrim segmentet kyç nga rrjeti gjithëpërfshirës, në mënyrë që të rrisim kthimin e investimit për projektet tona, për të tërhequr edhe partnerë privat.": - tha Haxhinasto gjatë fjalës së tij.
Ne takimin e 10 vjetorit të Observatorit të Transportit të Evropës Jug-Lindore (SEETO),  zhvilluar ne Shkup, ku  mori pjese dhe Ministri i Transportit dhe Infrastruktures z. Edmond Haxhinasto
Ai kërkoi që SEETO të ketë në vëmendje edhe elementë të tjerë të infrastrukturës, veç investimeve kapitale, siç janë siguria rrugore, standardet e projektimit dhe implementimit, si edhe mirembajtja, jo vetëm si masa shumë efikase në rritjen e sigurisë në rrugë, por edhe si metodologji optimizimi të infrastrukturës aktuale. Ministri theksoi eksperiencën e vendit tonë, ku janë disafishuar fondet për sigurinë rrugore dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Ndër zhvillimet në vend, Ministri Haxhinasto përmendi reformat në sektorin e transportit, rritjen e standardeve, si edhe metodologjinë e prioritarizimit të investimeve me fokus rëndësinë ekonomike të veprave, turizmin dhe veçanërisht lidhjeve me fqinjët. Gjithashtu, ai shtoi se nëpërmjet këtyre hapave synimi është liberalizimi i mëtejshem i  shërbimeve të transportit në rajon edhe me vendet e BE.
Duke folur për sektorët e ndryshëm të transportit, Haxhinasto konfirmoi përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për rinovimin e rrjetit hekurudhor, ku përmendi segmentin Tiranë-Rinas-Durrës dhe lidhjen me fqinjët. Ai shtoi se do te shihen me përparesi korridori VIII dhe ai Adriatiko-Jonian. Për sektorin detar dhe atë ajror, Ministri u ndal në rritjen e kapaciteteve të porteve Shqiptare dhe nevojën për më shumë lidhje ajrore me fqinjët dhe vendet e Evropës Perëndimore, por edhe nevojën e ndërtimit të Aeroportit të Jugut, si katalizator i turizmit në vend. Për të gjithë këto projekte, Ministri shprehu gadishmërinë për angazhimin më të madh të sektorit privat në vepra të infrastrukturës, në formën e partneriteteve publike private.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Haxhinasto shprehu gadishmërinë e Qeverisë Shqipëtare për firmosjen e Traktatit të Komunitetit të Transportit (TCT), që pritet të firmoset në fillim të 2015, i cili do të detajojë hapat konkrete të bashkepunimit për projektet e përbashkëta./a.g/