Haxhinasto:Negociata për aeroportin
e Rinasit, do ndërtohet edhe në Vlorë

TIRANE- Qeveria po zhvillon negociata me koncesionarët gjermanë të aeroportit të Rinasit, për të zhbllokuar situatën në drejtim të krijimit të pikave të tjera të transportit ajror civil në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një gjë e tillë po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, në perspektivën e rritjes masive të turizmit.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka lajmëruar dje lidhur me perspektivën e ndërtimit të një aeroporti të ri në jug të vendit. Ai tha se po zhvillohen negociata që aeroporti i Rinasit të heqë dorë nga monopoli i kontrollit mbi fluturimet ndërkombëtare. Haxhinasto ka njoftuar edhe planet për dhënie me koncesion të Portit te Shëngjinit, për ta shndërruar atë në një pikë të rëndësishme të transportit detar.

Marrëveshja koncesionare e qeverisë shqiptare me kompaninë gjermane ka qenë një sukses i plotë, i cili është në sytë e të gjithëve, duke u nisur nga zhvillimi që ka pësuar aeroporti i vetëm ndërkombëtar i Shqipërisë. Por, që prej vitit 2004, qeveria shqiptare formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Konkretisht, sipas marrëveshjes, së ratifikuar edhe në parlament, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më poshtë thuhet se do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.

Pra, shteti shqiptar ka lejuar që Rinasi të jetë porta e vetme e hyrjes për fluturimet ndërkombëtare. Një vendim që prej vitesh mban të gjallë një pakënaqësi në rritje, për shkak se, ndër të tjera, Shqipëria e vitit 2014, nuk është më ajo e vitit 2004. Aktualisht shqiptarët udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen, ndërkohë që shumë të tjerë kanë pasaporta të vendeve të tilla si SHBA, etj, si dhe turizmi dhe udhëtimet e të huajve për biznes janë shtuar shumë. Në vitin 2005, nëpërmjet këtij aeroporti, i vetmi që operon me linjat ndërkombëtare, kaluan 787.864 udhëtarë, kurse në vitin e shkuar aty kaluan 1.757.342 udhëtarë.

Pra thuajse një milion udhëtarë më tepër.
Që me ardhjen në pushtet të qeverisë Berisha, ish-ministri Lulzim Basha tentoi të negociojë lidhur me heqjen dorë nga kjo e drejtë, por pa sukses. Ndërkohë, një aeroport me shumë interes, i ndërtuar nga arabët në Kukës, ka vite që ndryshket, duke qenë se TIA nuk jep lejen për përdorimin e tij.

Ndërkohë që koncesioni ka konsumuar vetëm gjysmën e kohës, prej 10 vitesh, monopoli mbi fluksin e udhëtimeve ndërkombëtare, që kryhen nga Shqipëria drejt vendeve të treta dhe anasjelltas mund të vijojë edhe për 10 vjet të tjera, në rast se qeveria nuk do të zgjidhë këtë nyje.
 
Rrugët
Ministri i Transporteve tha se ngërçi i krijuar nga detyrimet e prapambetura ndaj kontraktorëve vitet e mëparshme (120 milionë dollarë) dhe nga projektet e parregullta është tashmë tejkaluar dhe punimet po vazhdojnë në rrugët e lëna përgjysëm nga qeveria e mëparshme. Ai ka theksuar rëndësinë dhe koston që ka mirëmbajtja e rrugëve, duke njoftuar se këtë vit rruga Durrës-Kukës do të futet në proces për t’u dhënë me koncesion, ku kriter themelor do të jetë pagesa e ulët që do të ofrojne kompanitë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi Rinor i Tiranës, Veliaj: Nuk ka forcë në botë që më ndalojë, të bëj fushatën më fuqishëm për fitoren e PS dhe Edi Ramës

Kuvendi Rinor i Tiranës, Veliaj: Nuk ka forcë në botë që më ndalojë, të bëj fushatën më fuqishëm për fitoren e PS dhe Edi Ramës