TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, theksoi të hënën se buxheti në total është 40.39 miliardë lekë, një rritje kjo prej 2.76 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin e këtij viti. Duke folur ne Kuvend gjate diskutimit ne parim te pr/buxhetit per vitin 2015, ai tha se kjo rritje reflektohet kryesisht në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, mirëmbajtjes në sektorin rrugor dhe investimit në infrastrukturës hekurudhore. Haxhinasto përmendi objektiva konkrete të buxhetit të parashikuar për vitin 2015, teksa prioritetet do të jenë rritja e standardit të rrugëve. Siguria rrugore dhe mirëmbajtja e rrugëve do të mbështeten nëpërmjet shumës prej 4.4 miliardë lekë, krahasuar me 1.2 miliardë lekë në vitin 2014. "Kjo është një përqasje e re financiare, pasi realizimi i këtyre shërbimeve do të ndalojë indeksin e lartë të amortizimit dhe do të rriste ndjeshëm cilësinë e përdorimit të rrugëve, për të çuar drejt uljes së aksidenteve, fakt ky i provuar gjatë vitit 2014, ku pamë një bilanc pozitiv në uljen e aksidenteve rrugore", tha ministri. Ndër projektet e sigurisë rrugore, riveshja me sinjalistikë dhe përmirësim i pikave të rrezikut, u veçuan superstrada Tiranë-Durrës apo segmenti Kashar-Rinas. Për ministrin Haxhinasto, linjat hekurudhore janë parë me prioritet, pasi kanë kosto të ulët." Do të nisim me studimin së pari të linjës Tiranë - Durrës, për lidhjen e kësaj linje me Rinasin dhe më pas, studimin për linjave hekurudhore në tërësi", theksoi ai./a.gjonaj//a.ke/









