Sigurimi i shitjes së biletave tek pasagjerët është hapi i parë në betejën e nisur kundër informalitetit. Kështu u shpreh ministiri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë një inspektimi që ka bërë në terren në stacionët e autobuzëve të Tiranës.

Ministri tha se paketa e masave kundër informalitetit në sektorin e transportit do të miratohet javën që vjen nga qeveria dhe ajo do të rregullojë problematikat e liçensimit, biletimit, të tregtisë se automjeteve etj.

"Jemi në fazën e pregatitjes dhe miratimit javën që vjen, të një pakete të plotë kundër informalitetit në fushën e transportit. Përvec çështjes së biletimit janë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me liçensimin, apo realizimin e aktivitetit ekonomik sipas liçensave që kanë operatorët. Ata që kanë autobus do bëjnë transport ndërqytetas, ata që kanë taksi do bëjnë shërbimin taksi"- tha Haxhinasto

Ministri foli gjithashtu për reformën e transportit ndërqytetas, që synon një standart shumë më të lartë transporti për qytetarët. Elementi i rëndësishëm i kësaj reforme është përmirësimi i infrastrukturës mbështetëse, siç janë stacionet e autobuzëve.

Fjala e plotë e ministrit Edmond Haxhinasto
Sigurimi i shitjes së biletave tek pasagjerët është një nga veprimet më të rëndësishme në luftën kundër informalitetit në transportit ndërqytetas dhe transportin në përgjithësi. Jemi në fazën e pregatitjes dhe miratimit javën që vjen, të një pakete të plotë kundër informalitetit në fushën e transportit. Përvec çështjes së biletimit janë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me liçensimin, apo realizimin e aktivitetit ekonomik sipas liçensave që kanë operatorët. Ata që kanë autobus do bëjnë transport ndërqytetas, ata që kanë taksi do bëjnë shërbimin taksi.

Po kështu ka element të tjerë që kanë të bëjnë me transferimin e pronësisë së mjeteve, importimin e mjeteve, që ne besojmë do ta rregullojë ashtu siç duhet këtë treg të rëndësishëm , që ka aktivitetet të rëndësishëm ekonomik. Sipas të dhënave që kemi krijon  evazion të konsiderueshëm, që do thotë mungesë e shërbimeve cilësore për qytetarët. I ftoj të gjithë që kështu ta vlerësojnë  çdo përpjekje të qeverisë kundra informalitetit, si një përpjekje për ti dhënë qytetarëve shërbime  më cilësore.

Disa shifra që tregojnë nivelin e informalitetit, aktualisht operohet me 50 % të linjave më shumë se ka vendi nevojë. Që do të thotë konsum e  shpenzim I jashtëzakonshëm resursesh dhe konkurencë e pandershme, që rrjedhimisht do të reflektohet edhe në evazion. Në sektorin e rregjistrimit të automjeteve, janë një pjesë e konsiderueshme midis 25-30 % e automjeteve, që nuk u rinovohet rregjistrimi çdo vit. Kjo do të thotë se ato ose janë hedhur pa u rregjistruar në varreza të caktuara, ose nuk paguajnë detyrimin vjetor, pra është një evazion I konsiderueshëm. Apo aktivitete të tjera ekonomike të tregtimit të automjeteve të përdorura, të cilat janë çdo lloj skeme që sjellin evazion të madh për shtetin.
 
Reforma për transportin ndërqytetas është ndër më të mëdhatë që do realizojmë, do të rregulloj këtë treg, që akoma është I parregulluar mirëfilli, për ta vendosur të optimalitet, në efiçënse ekonomike, pasi ka më shumë linja se kanë nevojë qytetarët. Duke ju dhënë mundësi  operatorëve që të rinovojnë flotat e autobuzëve,  siç e shikoni dhe vetë janë relativisht të vjetra. Kemi dhe detyrime ndaj Bashkimit Europian, për kategorinë e mjeteve që përdoren. Dhe dua ta  nënvizoj me forcë, të gjitha këto reforma  kanë një synim, të përmirësohet cilësia e e shërbimit ndaj qytetarëve, qoftë në shërbimin autobuzave qoftë në shërbimin taksi, apo në shërbimet e tjera të transportit.

Ky nuk është një stacion normal, me këtë çështje jemi marrë dhe do merremi seriozisht. Një nga pikat kryesore të reformës në transportin ndërqytetas, ka të bëjë me gjithë infrastrukturën mbështetëse të shërbimit të transportit, që do të thotë janë stacionet e autobuzëve. Që kanë të bëjnë me biletarinë, njoftimet, linjat, itineraret etj. Ka nevojë të elementëve të ndryshëm edhe në shërbimet personale për qytetarët, apo dhe shërbime të tjera si kateringu, restoranti, baret etj. Apo edhe një vend qoftë dhe për tu ulur, si me të drejtë mu ankua  një zonjë më parë.

Kam biseduar edhe me kryetarin e bashkisë zotin Veliaj dhe kam folur edhe me  kryetarët e tjerë të bashkive, dhe në planet që kanë për zhvillimet e qyteteve, stacionet e autobuzëve janë një element shumë I rëndësishëm. Me kryebashkiakun Veliaj kemi rënë dakort që sa më shpejt dhe këtu të realizojmë ndërhyrje me buxhetet aktuale, me qëllim që qytetarëve tu shërbehet më mirë, me cilësi më të lartë. Prandaj duhet një ndërhyrje e menjëhershme për ta sjellë në normalitet.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)