Kontrata
Marrëveshja konçensionare është nënshkuar nga KESH dhe kompania austriake në 30 shtator të vitit 2008. Ministri Gjiknuri e ka cilësuar serioz këtë investim të kompanisë austriake ndërsa u drejtohej deputetëve në seancën plenare. Ndërkaq, kushtet e kontratës ngarkojnë me shumë përgjegjësi KESH-in, përmbushja e të cilave mbetet në një pjesë të vitit çështje e kushteve atmosferike. Kjo, duke qenë se HEC-i i Ashtës furnizohet nga kaskada e lumit Drin në pjesën më të madhe dhe lumit Gjadër (ky nuk është në administrimin e KESH). Ajo që duhet theksuar është që KESH-i ka marrë përsipër të ruajë një nivel të caktuar të prurjeve të ujit të Rezervuarit të Spatharës (i cili luan rol të rëndësishëm në furnizimin me ujë të HEC-it të Ashtës) gjatë gjithë kohës, madje edhe gjatë muajve të thatë të verës: qershor, korrik dhe gusht, gjatë të cilëve rreshjet aq të rëndësishme për furnizimin e HEC-ve mungojnë thuajse tërësisht.
Në pjesën e dytë të kontratës, në pikën 3 “Shfrytëzim i Vazhdueshëm”, në Nenin b. ii. thuhet “në Rezervuarin e Spatharës do të mbahet në çdo kohë ujë i mjaftueshëm gjatë muajve Qershor, Korrik dhe Gusht të çdo viti, në mënyrë që Verbund të ketë mundësi të lëshojë 20 m3/s ujë nga diga e daljes për qëllime civile, duke përfshirë vaditjen, pavarësisht nga detyrimet që KESH mund të ketë në lidhje me autoritetet civile/ të vaditjes dhe /ose përdoruesit për këtë mospërmbushje”. Dhe në nenin b. iii. thuhet: “në asnjë kohë prurja e ujit në rrjedhën e poshtme të rezervuarit të Spatharës nuk do të jetë më pak se ajo që kërkohet me qëllim që të mbahet një minimum ekologjik i rrjedhjes”. Pra kjo do të thotë se KESH duhet të gjejë të gjitha mënyrat për të furnizuar këtë rezervuar. Mosfurnizimi i tij do të dëmshpërblehet nga shteti-pronar i KESH-it.
Zhdëmtimet
KESH është i detyruar të paguajë “dëmet” kompanisë austriake pavarësisht faktit se nivelet e ujërave varen nga faktorët klimaterikë. Në pjesën e katërt, në pikën e parë “Zhdëmtimet” thuhet: “Pavarësisht klauzolave të tjera të kësaj Marrëveshjeje, Verbund nuk do të ketë përgjegjësi dhe KESH do të zhdëmtojë Verbundin për të gjitha Dëmet që lindin, kanë lidhje me, ose janë rezultat i ujit të mbledhur në Rezervuarin e Spatharës (duke përfshirë edhe uljen e kapacitetit të HEC të Vau të Dejës për të prodhuar energji elektrike si pasojë e pakësimit të nivelit të ujit në digën e këtij HEC); duke përfshirë edhe Dëmet që lindin, kanë lidhje me, ose janë rezultat i ndonjë pretendimi të vërtetuar të ndonjë palë të tretë kundër Verbund, në lidhje me ujin e mbledhur në Rezervuarin e Spatharës me kusht që, niveli i depozitës në Rezervuarin e Spatharës të mos kalojë 27 m mbi nivelin e detit”.
KESH BLEN 63% MË SHTRENJTË SE IMPORTI
Përpos faktit se kontrata konçensionare e HEC-it të Ashtës ka kushte “skllavëruese”, të cilat rëndojnë në financat e taksapaguesve shqiptarë, ministri Gjiknuri, gjatë fjalës së tij në senancën plenare, ka bërë të ditur edhe çmimin e “kripur” të energjisë që prodhohet nga ky HEC. Gjiknuri e ka cilësuar veprimtarinë e HEC-it të Ashtës si një favor të Berishës ndaj austriakut Grossruck për zgjedhje. “Vërtet është investim i madh, serioz, po e dini çfarë ka bërë Berisha? Sepse ka pasur edhe një mikun e tij Grossruck që sa herë vinte kishte probleme me zgjedhjet, i bënte dhuratë. Shqiptarët ia blejnë energjinë këtij zotërisë së hidrocentralit me 65 euro mega, ndërkohë që çmimi mesatar i importit është 40. Kontratë e garantuar për 25 vjet!”, - tha ministri Gjiknuri. Ndërkaq kjo lëvizje e administratës “Berisha” nuk mund të faturohet kursesi si një faj i austriakëve. Ministri Gjiknuri ka cituar austriakët, të cilët në lidhje me këtë kontratë janë shprehur se “këto janë kushtet që na ofroi Qeveria Shqiptare”.
Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)