Dhjetëra banorë njëkohësisht, ish punonjës në kantierin e ndërtimit të HEC të Kalivacit, sot paradite u grumbulluan para portës hyrëse të veprës më të re hidro-energjitike në jug të vendit. Me ata është bashkuar edhe kreu i Komunës së Krahësit, Astrit Dervishaj i cili ka dalë hapur në mbrojtje të komunitetit që e ka zgjedhur.
Nga ana e tyre banorët mjaft të revoltuar, kanë kërkuar me ngulm, lirimin pa kushte të katër banorëve të komunitetit mes të cilëve edhe kryeplaku i fshatit Kalivaç Perlat Zeneli.
Madje tubuesit të cilët protestonin paqësisht, kanë kërcënuar me grevë urie nëse policia nuk liron të arrestuarit e një dite më parë. Ata thonw se tw arrestuarit tyre, nuk kanë kryer asnjë vepër penale përveçse kanë protestuar për të drejtat e tyre ndaj firmës koncesionare "Begetti" e cila është administratorja e veprës hidro-energjitike.
”Protestojmë për ujin e pijshëm, ujin vaditës, rrugët e fshatit. Kompania nuk ka paguar siguracionet. Çdo gjë është dorë mafioze e bechetit, Vajti 13 vjet në Kalivaç e nuk po bën asgjë. Këtu grevën nuk e bëjnë vetëm 4 vetë por i gjithë fshati. Nëse nuk merren masa i gjithë fshati do të hyjë në grevë urie. “-thotë një banor në një lidhje telefonike për tv A1Report.
Vetë kreu i Komunës Krahës, shprehet për A1Report se është pozicionuar në krahë të banorëve pasi ata janë në të drejtën e tyre për të kërkuar, pagesat e prapambetura disavjecare përfshirë kontributet shoqërore e shëndetësore që kurrë nuk i kanë marrë ndonjëherë.
Ndërkaq tubuesit nga ana e tyre, paralajmërojnë përshkallëzim të protestës nëse shteti nuk pozicionohet në anën e tyre për problematikën e ngritur përfshirë këtu edhe lirimin e të katër të arrestuarve të mbrëmshëm Perlat Zenelin, Bino Nelajn, Franko Alidervishi dhe Ylber Agajn.
Punëtorët prej të cilëve roje dhe manovratorë, kërkojnë pagesat e patërhequra prej më shumë se një viti. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga fshatrat Qesarat dhe Kalivac. Ata thonë se protesta ka qenë paqësore ndërkohë që i kanë bërë apel qeverisë shqiptare, të influencojë tek investitori italian që të likujdojë pagat e pamarra përfshirë sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.
HEC i Kalivaçit parashikohet të ketë një kapacitet prej 100 Megavatorë dhe prodhimtari vjetore prej 360 milion kw orë energji elektrike. Diga e liqenit parashikohet të jetë 48 metra e lartë dhe 180 metra e gjerë. Projekti parashikon vendosjen e 3 turbinave me fuqi M-45, M-47 dhe një turbinë me e vogël M-8 që do të përdoret gjatë muajve të verës për të shfrytëzuar prurjen e ulëta të stinës. Pasqyra e liqenit do të shtrihet në një sipërfaqe prej 14 kilometra katrore dhe në kuotën e tij maksimale ujrat e liqenit arrijnë deri 5 metra pranë urës së Memaliajt. Për ngritjen e trupit të digës do të zhvendosen 1.4 milion metër kub inerte. Në të dy anët e digës parashikohen të vendosen kanalet e devijimit dhe të shkarkimit. Vlera e përgjithëshme e projektit llogaritet rreth 75 milion euro dhe sipas kontratës së konçesionit, firma konçesionare italiane Begetti S.p.a, duhet t’a ndërtojë veprën brenda 4 vjetëve, ndërkohë që do të ketë të drejtë t’a shfrytëzojë hodrocentralin për 26 vjet dhe pas kësaj kohe, HC i dorëzohet për përdorim qeverisë shqiptare.
Punimet e HC të Kalivacit, startuan në vitin 2004 dhe sipas kontratës, duhet të përfundonin në 2008, mirëpo kanë kaluar plot 10 vjet nga prerja e shiritit të fillimit të punimeve prej ish kryeministrit Fatos Nano dhe deri më sot, është kryer vetëm 30% e volumit të punimeve. Askush nga përfaqësuesit e firmës Begetti, nuk ndodhej në kantier për të dhënë sqarime për cështjen në fjalë.
ARRESTIMI
Punëtorë të firmës dhe përfaqësues të pleqësisë së fshatit Kalivaç,kanë pretendime ndaj firmës për mos respektim kontrate dhe mos pagesë të rrogave. Paraditen e djeshme ata nuk kanë lejuar të kalojnë as mjetet e transportit dhe as punonjësit e kompanisë Energy sh.p.k, thotë policia e Gjirokastres.
Policia e Gjiokastrës thotë se protesta është bërë pa leje dhe ka prangosur 4 banorë, Perlat Zeneli, Bino Nela, Franko Alidervishi, Ylber Agaj pas denoncimeve të bëra nga firma Energy sh.p.k
Ata akuzohen për veprat penale të “Organizimit dhe pjesmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengim i qarkllimit të mjeteve të transportit “, si dhe “Vetgjyqësi”, vepra këto të parashikuara nga nenet 239,277, e 25 të Kodit Penal.
Policia e Gjirokastrës thotë se ky veprim i kryer me vetgjyqësi është përsëritur disa herë më parë: Më datën 04.10.2013, më datën 09.10.2013 dhe më datën 13.11.2013.
(sg/shqiptarja.com)