UEMBLI - Sot do të zhvillohet finalja e Ligës së Kampioneve në stadiumin 'Uembli' mes Borusias së Dortmundit dhe Bayernit të Mynihut. Bayerni shkon në finalen e tretë në tre vitet e fundit, ndërsa Dortmundi rikthehet pas vitit 1997.

Në prag të ndeshjes kanë folur të gjithë protagonistët e sfidës së zjarrtë. “Vitin e kaluar zhvilluam një edicion fantastik, por përsëri nuk arritëm të fitonim. Këtë vit, kemi dominuar në mënyrë absolute çdo kompeticion ku kemi marrë pjesë.

Jam i sigurt që do të fitojmë, “Zotat” e futbollit na kanë një borxh. Kjo nuk është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, pasi unë e kam fituar një Champions si trajner, ndërsa si futbollist kam festuar fitimin e një Botërori dhe një Europiani.

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo ndeshja e jetës për një si unë" deklaroi në konferencën e fundit para ndeshjes Heynkes. Ndërsa kundërshtari i tij, Jurgen Klop deklaroi se ekipi i Dortmundit është po aq i fuqishëm sa edhe në vitin e largët 1997 kur fitoi Champions.

Do të jetë një finale e paharrueshme mbi të gjitha, përballë janë dy nga ekipet më të mira të momentit. Shpresoj që publiku të kënaqet nga spektakli, që do të jetë i garantuar. Kam besim se në fund fati do të na buzëqeshë neve për të ngritur trofeun.

E di recetën për të mundur Bayernin" përfundon Klop. Për Borusian mungon Mario Gëce, i cili është futbollisti kryesor. Në stadiumin pritet të jenë mijëra tifozë që do të pushtojnë Londrën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptasrja.com (print) 25.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)