Vetëm 1 për qind e fondeve të planifkuara me financim të huaj për sektorin hekurudhor arritën të shpenzoheshin gjatë periudhës janar-prill 2026. Kjo në një kohë kur në hallka të ndryshme të procesit janë disa nga projektet kryesore për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit në vend.

Të dhënat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se shpenzimet kapitale me financim të huaj arritën në 36.7 milionë lekë, nga një plan vjetor i rishikuar prej rreth 4.6 miliardë lekësh. Realizimi ishte më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur për këtë kategori ishin shpenzuar 241.5 milionë lekë dhe norma e realizimit ishte 5%.

Në katër muajt e parë të vitit 2026, shpenzimet me financim të huaj për artikullin 231 ishin 27.9 milionë lekë, ndërsa për artikullin 230 rezultuan 8.8 milionë lekë. Fondet me financim të huaj administrohen nga shoqëria Hekurudha Shqiptare dhe lidhen me rehabilitimin e linjës Durrës–Terminali i Pasagjerëve Tiranë, si dhe me ndërtimin e lidhjes hekurudhore Tiranë–Rinas. Në listën e projekteve është edhe rehabilitimi i linjës Vorë–Hani i Hotit, një prej korridoreve hekurudhore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Programi përfshin gjithashtu projektimin inxhinierik dhe arkitektonik të godinave të stacioneve hekurudhore në aksin Durrës–Tiranë–Aeroporti i Rinasit. Një tjetër zë është zbatimi i punimeve për elektrifikimin e linjës Durrës–Tiranë dhe ndërtimin e linjës së re drejt aeroportit.

Edhe investimet me financim të brendshëm regjistruan nivel të ulët realizimi. Nga 1.3 miliardë lekë të planifikuara, deri në fund të prillit ishin shpenzuar 38.4 milionë lekë, ose 3% e fondit vjetor. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm ishin 45.3 milionë lekë, me një normë realizimi prej 8%. Ministria e cilëson realizimin e vitit 2026 më të ulët si në vlerë nominale, ashtu edhe në përqindje. Financimi i brendshëm përfshin dy projekte studim-projektimi, me një buxhet të përbashkët prej 55 milionë lekësh.

Në program janë përfshirë edhe nëntë projekte për mirëmbajtje dhe rinovime të ndryshme të trungut hekurudhor, të buxhetuara në shumën 995 milionë lekë. Për dhjetë projekte të reja, me vlerë 836.5 milionë lekë, kishte nisur përgatitja e dokumentacionit për procedurat e prokurimit.

Këto projekte përfaqësojnë 64% të tavanit buxhetor të shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm. Programi përmban gjithashtu 250 milionë lekë për TVSH-në e projekteve me financim të huaj. Shpenzimet korrente shënuan një ecuri më të lartë se investimet. Nga 538.6 milionë lekë të planifikuara, u realizuan 176.8 milionë lekë, ose 33%.

Një vit më parë, shpenzimet korrente për të njëjtën periudhë ishin 166.2 milionë lekë dhe norma e realizimit ishte 31%. Pjesa më e madhe e shpenzimeve korrente të vitit 2026, rreth 171.5 milionë lekë, u regjistrua në artikullin 603, që përfshin subvencionet.

Këto fonde përdoren për aktivitetin operacional të Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, Autoritetit Rregullator Hekurudhor dhe Hekurudhës Shqiptare. Në total, programi “Transporti Hekurudhor” kishte një plan të rishikuar prej rreth 6.44 miliardë lekësh për vitin 2026, duke përfshirë shpenzimet korrente dhe investimet me financim të brendshëm e të huaj.

Realizimi financiar i tri kategorive deri në fund të prillit rezultoi në rreth 252 milionë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 177 milionë lekë, lidhej me shpenzimet korrente, ndërsa investimet kapitale të financuara nga burime të brendshme dhe të huaja arritën së bashku në rreth 75 milionë lekë./ Monitor