Helidon Xhixha, skulpturat
kapin majat në SHBA

Helidon Xhixha, skulpturat<br />kapin majat në SHBA
TIRANE- Helidon Xhixha, skulptori shqiptar me famë ndërkombëtare do të gdhend vepra arti për qiellegërvishtësen “Muza” në Florida. Pas disa ekspozitave të hapura në SHBA dhe famës që ka marrë me skulpturat e parqeve publike në Itali e Dubai, artistit shqiptar i janë bërë oferta për të punuar nga një skulpturë në secilin apartament të pallatit “Muza” në Sunny Isles Beach (Plazhin e Ishujve Diellorë) në Florida, bën të ditur ditur gazeta “Miami Herald”. Sipas kësaj gazete, “Muza” do të jetë një pallat tepër i veçantë, i gjatë dhe i ngushtë. Veçantia e ndërtesës gati 200 metra e lartë i ka shtyrë sipërmarësit që t’i drejtohen artit të Helidon Xhixhës për të plotësuar imazhin arkitektural të saj. Kështu ata kanë preferuar që të kenë disa skulptura të konceptuara nga artisti Helidon Xhixha.

Artisti i lindur në Durrës, Shqipëri, por që aktualisht e zhvillon karrierën e tij midis Italisë dhe Dubait ka pasur suksese të mëdha së së fundi në ekspozitat Art Miami dhe Art Bazel në Zvicër. Në ekspozitat e lartpërmendura arkitektët janë tërhequr nga nga skulpturat elegante prej çeliku “që reflektojnë dritën”. Xhixha ka nisur të këshillohet për çmimet dhe pastaj do të gdhendë nga një skulpturë për secilin apartmanet. “Ai ka nisur të bëjë art në çdo apartament, përreth pallatit, si dhe në hollin e hyrjes”, thotë për gazetën amerikane Kevin Maloney, themelues dhe CEO firmës Property Markets Group me qendër në Nju Jork. Ndërtesa do të jetë e barabartë në lartësi me Kullën Porsche Design dhe “Mansions at Acqualina”, dy projekte të tjera luksoze në Sunny Isles Beach.
 
Sfidat dhe fama ndërkombëtare e skulptorit shqiptar
 
Helidon Xhixha po sfidon me talentin e tij në hapësirën botërore të artit bashkëkohor. Në Itali ku prej 20 vjetësh ka nisur karrierën si artist, ka fituar dhjetëra projekte për skulpturat e vendosura në parqe e sheshe publike. Gjithashtu, Xhixha mbahet mend mend edhe për skulpturën e tij gjigante “Kalin” e Ferrarit, rreth 5 metra të lartë e 800 kg të rëndë, të cilën e realizoi në 2003-shin. Këtë skulpturë ia dhuroi komunës së Maranellos në shenjë të pasionit të tij si ferrarist. Maranello ishte vendi që u bë i njohur nga makina “Kokë kuqe”,kampione për të katërtën herë radhazi. Vepra e Xhixhës është vendosur tashmë pranë monumentit të Enco Ferrarit, të realizuar nga një skulptor italian Morino nga Modena. Por fama e Xhixhës nuk mbaron me kaq.

Çdo ekspozitë ku merr pjesë Xhixha ka jehonë në shtypin italian e atë ndërkombëtare. Revista kulturore “Art-Style”, në dy numra radhazi boton artikullin e Lucia Majerit “La forza del metallo-Helidon Xhixha”. Gazeta “Padania” e muajit gusht 2010, në artikullin “Çeliku i Helidon Xhixhës, shqiptarit-padan” të kritikut Maurizio Mazzoleni shkruan se: “jam i bindur që Helidon Xhixha do të bëhet një nga të mëdhenjtë e artit bashkëkohor… Sepse është i pari, në llojin e tij, dhe të jesh i pari në këtë botë është e rëndësishme. Helidoni ka zbuluar “ujin e ngrohtë”, ka zbuluar t’i japë formë një pllake çeliku, ta bëjë atë të ndritshme, të patinuar ose të kromuar, t’i japë ngjyrë  të kuqe, blu, të zi e të bardhë. E natyrisht që do thoshim: e thjeshtë. Por është i pari që e ka bërë këtë, i vetmi artist i madh”.

Te projekti “Mes Brikolave të Venezies”, artisti me origjinë shqiptare ka lënë “gjurmën” e tij ashtu si te ekspozita e këtij viti në Milano (Universiteti IULM), në Bologna (Museo Magi ‘900), në Legnano (ku dhe realizoi trofeun për garën tradicionale “il Palio di Legnano”), në Firenze, Como, Sardegna, Pistoia, etj, pa përmendur këtu veprat monumentale që tashmë po “pushtojnë” sheshet e shumë komunave në Itali. Njëra prej veprave “Reinassaince of Towers” (Rilindja e kullave) në çelik inoks, ka bërë “udhëtimin” e saj në qytete të rëndësishme të Europës (Venecia, Firence, Milano, Berlin)  për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2014, në Ground Zero, në zemër të Nju Jorkut, në kujtim e nderim të viktimave të terrorizmit të 11 shtatorit. 


Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!