Helikopterët francezë, Qeveria:
Do zbatojmë kontratën

Helikopterët francezë, Qeveria: <br />Do zbatojmë kontratën
Qeveria shqiptare është e bindur se numri i helikopterëve "Eurocopter" nuk është cënuar nga aksidenti më i fundit i njërit prej tyre në Francë, ku humbën jetën 6 persona. Për më tepër që qeveria shqiptare ka marrë garanci të plota se aksidenti nuk cënonte cilësinë maksimale të helikopterit, pasi rrëzimi i tij kishte ndodhur për shkak të kontaktit me një kabull dhe për shkak të pakujdesisë së pilotëve dhe ekuipazhit të kompanisë, të cilët po realizonin këtë test përpara se 2 helikopterët e parë francezë të cilësisë së lartë të vinin në Shqipëri, sipas kontratës. Burime brenda qeverisë bëjnë me dije se marrëveshja është marrëveshje dhe këto helikopterë janë të një cilësie tepër të lartë dhe një garanci për shumë për lëvizjen e personaliteteve të larta shqiptare.

Ndërkohë që mësohet se është shtyrë ceremonia e pritjes në aeroportin e Rinasit, por që dy helikopterët do të mbërrijnë shpejt. Kështu, dy ditë më parë agjencitë franceze lajmëruan se një helikopter ushtarak i kompanisë "Eurocopter", u rrëzua në Alpet e Francës, teksa po bënte testet e fundit përpara se t'i dorëzohej autoriteteve shqiptare. Për pasojë, 6 anëtarët e ekuipazhit humbën jetën. Sipas kompanisë Eurocopter, 6 personat që humbën jetën ishin punonjës të kompanisë dhe inxhinierë prove.

Mjeti fluturues, thuhet në njoftim humbi kontaktet me kullën e kontrollit rreth orës 13:40 të dy ditëve më parë dhe pak minuta më pas u përplas në Verdon Gorge, një zonë popullore për alpinistët. Dëshmitarët thanë se helikopteri po fluturonte ulët mbi zonë dhe papritur u rrëzua në grykën e një lumi. Sipas hetimeve të para, dyshohet se helikopteri është rrëzuar pasi ka prekur një kabull elektrik.

Siç raportojnë dhe mediat e huaja, helikopteri tip "Cougar EC-145", ishte destinuar për ushtrinë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes së firmosur në vitin 2009 nga qeveria shqiptare për blerjen e 5 helikopterëve transportues nga kompania "Eurocopter". Helikopteri i rrëzuar parashikohej të përdorej nga ushtria për transportimin e personaliteteve, si dhe për nevoja të tjera të ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi lajmin për rrëzimin e helikopterit dhe bëri të ditur se nuk ka pasur shtetas shqiptarë. Helikopteri Cougar AS532 është variant ushtarak i Puma Eurocopter civil AS332 Super. AS532 mund të transportojë deri në 29 persona dhe 2 pilotë. Krahas detyrave ushtarake ky tip helikopteri përmbush dhe misione shpëtimi. Ka një ekuipazh prej dy vetash dhe krahas armatimeve të vendosura në të në misione ushtarake ai mund të transportoje deri 25 ushtarë. Ndërsa në kushtet e një misioni shpëtimi në helikopter mund të vendosen deri në gjashtë shtretër si dhe 10 pasagjere të tjerë. Pesha maksimale që mund të transportojë është 4.5 ton. Për sa i përket armatimit zakonisht helikopteri mban një top 20 mm raketahedhës 68 mm si dhe mitralozë në dyert anësore. Më 18 dhjetor të 2009-ës, Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë me shoqërinë "EUROCOPTER", për blerjen e një pakete me pesë helikopterë të mesëm shumërolësh, të tipit COUGAR AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së helikopterëve 'Super Puma'. Kjo kontrate kap vlerën e 78.7 milionë eurove.

Sipas ekspertëve, helikopterët janë prodhime të viteve të fundit, me të gjitha kapacitetet bashkëkohore, modernë, të firmave më të mira europiano-perëndimore, si dhe konkurrues në të gjithë botën. Por në vitin 2011 këtij pr/ligji iu bënë disa ndryshime që kanë të bëjnë me: Zgjatjen e kohës së realizimit të kontratës, nga viti 2013 deri në vitin 2014, furnizimin me helikopterë të shtrirë në tre vite buxhetore, në vitin 2012 do të dorëzohen dy helikopterë; në vitin 2013 do të dorëzohen dy helikopterë dhe në vitin 2014 do të dorëzohet një helikopter si dhe saktësimin e një ndryshimi teknik në konfigurimin e helikopterit, i cili rezulton kapacitet i shtuar pa kosto shtesë.
(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

'Më duhet një pushim shumë i gjatë', Adele heq dorë nga muzika?

'Më duhet një pushim shumë i gjatë', Adele heq dorë nga muzika?