Helikopter i ri për transportin e të
sëmurëve, Beqaj: Shërbim i sigurt

Helikopter i ri për transportin e të<br />sëmurëve, Beqaj: Shërbim i sigurt
TIRANE - Flota e njësisë së transportit mjekësor me helikopter të ri për transportimim e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore. Me këtë lajm, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj hapi ceremoninë e 20 vjetorit të krijimit të kësaj flote, duke e cilësuar si një investim të rëndësishëm, pjesë e një projekti madhor të qeverisë për të ngritur shërbimin kombëtar civil.

“Sigurisht, do të vazhdojmë të fuqizojmë shërbimin kombëtar të urgjencës për të filluar qoftë me ngritjen e miratimin ligjit, bazën ligjore, fuqizimin e plotë të autoambulancave me 20 autoambulanca, të cilat janë praktikisht operative në terren, dhe ky investim i filluar që vjet, tashmë është i gatshëm”, u shpreh Beqaj.

Helikopteri që do t’i shtohet flotës është prodhim i Airbus Helicopters, një prej kompanive me reputacion ndërkombëtar për prodhimin e helikopterëve të specializuar për transportit e të sëmurëve, sipas standardeve të Agjencisë Evropiane e Sigurisë së Informacionit. 

Helikopteri i pajisur edhe me monitor; defribilator; aspirator; 3 bombola oksigjeni për 200 minuta fluturim; dy barrela, do të ofrojë sipas Albert Xhafaj, shef i Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, shërbim më të sigurt e cilësor.
 
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim
Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur të gjithë, miq, dashamirës, profesionistë dhe të ftuar!

Së pari, po e filloj duke e korrigjuar pak komandant Bertin (z. Albert Xhafaj, Shef i Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter), që sigurisht nuk e bëra unë të mundur, ai ishte një investim i shtetit shqiptar, i cili u realizua në mbyllje të vitit të kaluar si pjesë e projektit madhor të Qeverisë, për të ngritur Shërbimin Kombëtar të Urgjencës.
Megjithatë, kjo ditë përkon edhe me 20-vjetorin e krijimit të këtij shërbimi (Njësia e Transportit Mjekësor me Helikopter), kështu që sot është momenti për të përshëndetur të gjithë ata që e krijuan dhe e mbështetën në vite, pra të gjithë ministrat e shëndetësisë që kanë qenë në detyrë përpara meje, që nga 1995 deri në 2013.
Por, sigurisht falënderimet i shkojnë teknikëve, pilotëve, personelit, që e mbajnë gjallë përditë këtë shërbim.

Siç e prezantoi edhe komandant Berti, praktikisht bëhen rreth 400 fluturime në vit, pra ne kemi mesatarisht çdo ditë, apo edhe më shumë se 1 fluturim në ditë, që kryhen nga kjo Njësi, të cilat sigurisht shpëtojnë jetë apo sjellin shumë shpejt pranë qendrave shëndetësore, institucioneve shëndetësore të kualifikuara pacientët për një shërbim shëndetësor më të avancuar, që do të shkurtojë invaliditetet.

Sot, besoj se duhen falënderuar edhe ata që e ndihmuan konkretisht këtë projekt. Ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me përfaqësuesit e Aviacionit Civil, edhe dua t’i falënderoj ata për të gjithë proçedurat e shpejta dhe më efiçencë, që u kryen për mjetin, për trajnimin e teknikëve dhe pilotëve.

Padyshim, duhet falënderuar edhe kompania Aircopter, si pjesë e grupit Airbus (Airbus Helicopters), për mbështetjen që i ka dhënë në vite edhe mjeteve të tjera të kësaj Njësie, qoftë edhe me mirëmbajtjen që ka mundur të ofrojë dhe sigurisht që, edhe me këtë helikopter të ri, ne do të ofrojmë një shërbim edhe më cilësor, sepse edhe siç do të mund ta shihni më pas, edhe pajisjet që helikopteri ka, janë të një niveli më të lartë, qoftë si cilësi, qoftë si gamë pajisjesh në krahasim me ato që ne kemi deri më sot.
Sigurisht, do të vazhdojmë të fuqizojmë shërbimin kombëtar të urgjencës, është një projekt madhor i këtij mandati qeverisës, për të filluar qoftë me ngritjen e miratimin ligjit, bazën ligjore, fuqizimin e plotë të autoambulancave me 20 autoambulanca, të cilat janë praktikisht operative në terren, dhe ky investim i filluar që vjet, tashmë është i gatshëm.

Nuk dua të zgjatem më shumë, dua të ftoj Dr. Skënder Bratajn, i cili prej pak ditësh është edhe Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, që për të pranishmit, sidomos për ata që nuk janë specialistë, të na prezantojë  helikopterin dhe çfarë risish ka ai.
 
Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike