Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) publikoi rezultatin e analizave të mostrave sa i përket rastit të helmimit të 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, por këto rezultate nuk kanë mbërritur ende në Prokurorinë e Tiranës.

Lidhur me këtë vonesë dhe me gjithë procedurat e ndjekura për verifikimin e rrethanave të rastit, prokurori i çështjes Bledar Valikaj ka thërritur të martën për të marrë në pyetje drejtorin e AKU-së Tiranë Ersid Hasanllari, i cili është përgjegjës për kontrollet ushqimore.

Sipas AKU-së, nga nëntë mostra të marra për analiza nga kompania e kateringut ‘SORI-AL’, tetë rezultuan brenda normave, ndërsa një kampion makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, rezultoi i kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus janë baktere që shfaqen zakonisht në ushqime të përgatitura apo të ruajtura në kushte jo të mira higjieno-sanitare. Ato transmetohen përmes ushqimit të kontaminuar, duarve, pajisjeve apo sipërfaqeve të papastra dhe mund të shkaktojnë helmim ushqimor me simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë.

AKU ka bllokuar aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Ndërkohë, AKU ka urdhëruar edhe bllokimin e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, deri në dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Administratorja e kompanisë ‘SORI-AL’ është vënë nën hetim në gjendje të lirë bashkë me një teknologe. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën ‘detyrim paraqitjeje’ për kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologen e ushqimit Kristjana Plaka, ndonëse për to Prokuroria kishte kërkuar masën arrest me burg.