Helmimi i protestuesve, mostra gjaku
në Gjermani për gjetjen e substancës

Mostrat e gjakut për 20 pacientë që kanë pësuar skuqje dhe infektim të syve e lëkurës në mitingun e Partisë Demokratike, do të dërgohen në Gjermani, për tiu nënshtruar një ekzaminimi të mirfilltë.

Ky vendim është marrë nga prokurorët që po hetojnë dosjen, të cilët në pamundësi për të marrë një përgjigje nga ekspertët shqiptarë, të cilët nuk kanë mjetet e nevojshme, kanë kërkuar ndihmën e një laboratori kriminalistik në Gjermani.

Mbi 20 mostra gjaku, shoqëruar dhe me tabela fotografike të vetë simptomave të pacientëve të shtruar në spital, do i dërgohen nëpërmjet një letërporosie drejtësisë Gjermane.

Pamundësia e zbulimit së subtancës
Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga policia për akuzën e “Ndotjes së ajrit”, por Prokuroria thotë se nga ana juridike, kjo akuzë nuk qëndron dhe se gjatë ditës së djeshme, dosja në fjalë është regjistruar në prokurori, duke ju referuar nenit 325 që flet për “Pengim i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Pavarësisht kësaj, ajo që përbën vështirësi në këtë hetim, është pamundësia e përcaktimit të substancës helmuese apo rrezatuese që është çliruar në ajër, e cila më pas ka sjellë djegien e rreth 150 personave, simpatizantë të PD.

Prokuroria ka kërkuar ndihmën e institutit të mjekësisë-ligjore, por këta të fundit pavarësisht mostrave të gjakut, lotëve në sy dhe urinës së pjesës më të madhe të të dëmtuarve, janë shprehur se e kanë të pamundur të përcaktojnë se çfarë substance mund të ketë sjellë këtë anomali. Sipas ekspertëve ekzistojnë 3200 lloje substancash helmuese dhe është e pamundur të bësh ekspertime, duke mos ditur se çfarë reagenti të përdorësh, për të përcaktuar helmimin.

Ekspertët kanë kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, të përcaktojnë disa substanca ku ata dyshojnë, në mënyrë që të ekspertohen me reagentët përkatës, lidhur me pasojat që sjellën në mjedis dhe trupin e njeriut. Mirëpo tashmë Prokuroria dhe Policia janë në pritje të të dhënave që do sjellë drejtoria e lëndëve kimikë të Ushtrisë.

Pyeten 30 persona
Gati 300 persona janë pyetur nga Prokuroria dhe Policia lidhur me ngjarjen e pazakontë të infektimit të militantëve të Partisë Demokratike, gjatë kohës kur kjo e fundit hapi fushatën e saj elektorale, para Kryeministrisë.

Bëhet fjalë për 140 persona të lënduar që kanë dhënë deklarime dhe pjesa tjetër sipas burimeve, janë zyrtarë të institucioneve, duke filluar nga Garda e Republikës, organizatorët e protestës së PD, dhe deri tek zyrtarët e kopmanisë që kishte lëshuar me qira prozhektorët. Momentalisht për Prokurorinë dhe Policinë e Tiranës, prozhektorët janë një nga variantet e sjellës së simptomave të djegies në krahë, fytyrë, buzë e deri tek sytë të simpatizantëve të PD.

Burimet shtojnë se dyshimet mbi prozhektorët janë ngritur, pasi disa pacientë kanë pasur djegie vetëm në gjysmën e fytyrës dhe jo të gjithën. Po ashtu disa pacientë që kanë qenë në miting me kapelë, janë djegur vetëm në pjesën e qafës, pra nga hija që i krijonte kapelja,ata nuk kanë pësuar djegie.

Ndërkohë disa nga pacientët, kanë pësuar djegie vetëm në një krah, dhe jo tek të dy. Të gjitha këto konstatime sipas burimeve të Prokurorisë dhe Policisë, ngrenë dyshime se këtë infeksion e kanë përcjellë prozhektorët.

Ndriçuesit “Skaf”, sekuestrohen dy nga 12
Lëndimi i simpatizantëve të PD-së pas mitingut të mbajtur ditën e shtunë, ka bërë që Specialistët për krimet ndaj jetës të mbështetur nga Prokuroria dhe Garda e Republikës të nisin hetimet lidhur me këtë ngjarje. Prokuroria ka sekuestruar 2 nga 12 ndriçuesit model “Skaf” dhe 1 kuti që shërben për ndezjen e llampave e cila në gjuhën teknike quhet (Balaster), të cilët ishin të vendosur në 4 platforma.

Sekuestrimi është bërë për të bërë ekzaminimin e tyre pasi dyshohet se janë shkaktarët e lëndimit të militantëve të PD-së. Ndriçuesit me emërtimin në gjuhën teknike “Skaf”, model Philips janë me voltazh 380 V dhe fuqi 2000 ëat me kabëll me gjatësi 9 metra. Policia ka referuar çështjen në prokurori sipas nenit 201 të kodit penal, referuar ndotjes së ajrit.

Ditën e djelë në vendngjarje mbërritën edhe kimistët e ushtrisë, të cilët, në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova. Por, gjatë këqyrjes së bulevardit dhe trotuareve pranë Kryeministrisë, ekspertët nuk gjetën asnjë provë  të dyshimtë, pasi skena e krimit nuk u ngrit menjëherë pas mitingut nga policia, por ditën tjetër në 7 të mëngjesit. Megjithatë, ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting,të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave.

Në hetime janë përfshirë edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Kundërzbulimi i Shërbimeve Inteligjente, pasi nuk përjashtohet as mundësia e ngjarjes me qëllim destabiliteti nga faktorë të jashtëm.Ekzistojnë dyshime se shërbime të huaja, mund të kenë hedhur në vendin ku organizohej mitingu i PD, subtanca helmuese. Këto subtanca ka shumë gjasa që mund të jenë hedhur me dron, ose nga ndonjë person tjetër, që i është afruar tribunës dhe më pas ka hedhur subtancat helmuese.

Avokati: Prozhektorët i kemi përdorur dhe për tubimet e PS e LSI
Për përfaqësuesit e kompanisë së prozhektorëve lajmi se lëndimi ka ardhur nga ndriçuesit është i pavërtetë, pasi janë përdorur edhe herë të tjera, madje edhe në fushata të LSI-së dhe PS-së.

“Po ato kanë sekuestruar dy me urdhër, pjesa tjetër nuk e di me çfarë urdhri është bllokuar i gjithë aktiviteti. Këto ndriçues janë përdorur edhe në fushata të tjera, edhe tek LSI,tek PS apo edhe në ambiente të tjera. Nuk e di se kush ka interes që të hiqen,por ne do ndjekim të gjithë procedurat ligjore. Në asnjë moment nuk mund të jenë shkaku i kësaj që kanë ndodhur”-tha përfaqësuesi i kompanisë, avokati Ilir Kadiu.

Sipas grupit hetimorë që ka analizuar të gjitha provat dhe dëshmitë e personave të lënduar teksa ndodheshin në shesh, prania e ndriçuesve ka ndotur ajrin duke e elektrizuar atë dhe duke shkaktuar tek persona të ndryshëm djegie të lëkurës, alergji, irritim të fytit dhe kruarje e skuqje të syve.

Ambientet e bulevardit janë kontrolluar me imtësi për mbetje të agjentëve radioaktivë apo toksikë por dhe pse për disa orë shërbimet e ushtrisë kanë punuar për të grumbulluar prova të tilla i gjithë sheshi ka rezultuar i pastër.


dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati