VLORË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë ku rreth 41 turistë polakë mes tyre edhe fëmijë të helmuar janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Vlorës. Të rinjtë ishin duke bërë një tur me anije në Sazan. Për shkak të numrit të madh të pacientëve, disa prej tyre janë transportuar drejt spitalit të Fierit. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se të rinjtë ishin nisur me autobus nga Barbullushi i Shkodër rreth orës 05:00 të mëngjesit nga hoteli Garden Land Resort dhe kanë ardhur në Vlorë rreth orës 09:00 të mëngjesit. Në orën 10:00, ata janë nisur me anijen ‘Black Pearl’ me guidë në Sazan dhe rreth orës 18:00 të pasdites janë paraqitur me të vjella në urgjencë.

Në anije ata kanë konsumuar pulë të pjekur, sallatë, patate të skuqura, ujë, kola, lëngje dhe pjepër.

Drejtoresha e spitalit të Vlorës dhe ajo e urgjencës u prononcuan për mediat ku bënë me dije se gjendja e fëmijëve është stabël ndërsa nuk dihet se çfarë ja ka shkaktuar helmimin. Mjeket shpjegojnë se mund të jetë lodhja, qëndrimi i gjatë në det dhe ekspozimi në diell arsye që mund të kenë përkeqësuar gjendjen e tyre. Fëmijët janë të moshave 14-15 vjeç dhe po marrin trajtimin e posaçëm në spitalin e Vlorës.

Një prononcim e dha edhe drejtori i AKU-së, Ani Binaj i cili tha se është ende herët për të dhënë një shkak të kësaj ngjarjeje. Në një njoftim zyrtar AKU thotë se nga gjetjet paraprake ushqimi ka qenë i prishur nga temperatura e lartë. 
Raportoi për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetari, Armand Xhelili.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:43
Helmimi i 41 turistëve polakë në Vlorë, shefi i epidemiologjisë: Ushqimi është konsumuar në udhëtim

 

Agron Bashallari, shefi i Epidemiologjisë ka dhënë një deklaratë për mediat për rastin e helmimit të 41 turistëve polakë.

“Situatë që po e ndjekim nuk mund të kemi asnjë konkluzion. ushqimi nuk është konsumuar në qytet. është konsumuar në udhëtim, është shpejt për të folur.- tha shefi i epidemiologjisë

Ora 21:39
Helmimi i 41 turistëve polakë në Vlorë, AKU: Nga gjetjet paraprake ushqimi ka qenë i prishur nga temperatura e lartë

1692988484_jj.jpg

AKU ka dhënë njoftimin zyrtar për rastin e helmimit të 41 turistëve polakë në Vlorë.

Deklaratë për shtyp nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit, ku ishin të përfshirë disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës. Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë, me të cilët kemi punuar ngushtësisht.

Momentalisht, do donim të siguronim publikun e gjerë që situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.

I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.

Udhëzojmë konsumatorët të mos konsumojnë ushqime që kanë qëndruar për më shumë se 2 ore pas gatimit jashtë frigoriferit.

DRAKU Vlorë po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen. Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët.

Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.

Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

DRAKU Vlorë do vijojë të informojë publikun mbi progresin e këtij hetimi. Ftojmë këdo që ka informacion mbi subjekte që tregtojnë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore të denoncojë në [email protected] dhe në numrin e gjelbër 08007575 për të qenë së bashku në përpjekjen për sigurimin e mirëqenies së konsumatorëve.

Ora 21:25
Helmimi i turistëve polakë në Vlorë, kjo është anija që udhëtuan 41 të rinjtë

1692991513_anijablackpearl.jpg

Kjo është anija ‘Black Peral’ më të cilën udhëtuan 41 turistët polakë të cilët u helmuan dhe u paraqitën në spitalin e Vlorës.

Ora 21:22
Helmimi i turistëve polakë në Vlorë, policia: 41 polakët janë jashtë rrezikut për jetën! Vijojnë hetimet

1692988265_mm.jpg

Policia ka dhënë njoftim zyrtar për ngjarjen në Vlorë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve.

Ora 21:10
Helmimi i fëmijëve polakë në Vlorë, burime: Fëmijët polakë kanë udhëtuar me anijen 'Black Pearl', kanë ngrënë pulë, sallatë dhe patate

1692987337_nn.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije së fëmijet polakë u nisën në 5 të mëngjesit nga Barbullushi dhe u nisën  rreth orës 9-10 me anijen ‘Black Pearl’ në Karabun. Ata kanë konsumuar pulë, sallatë patatem kola dhe pjepër.

Ora 21:03
Rreth 30 fëmijë polakë të helmuar nga ushqimi në Vlorë, drejtori i AKU: Toksikologu po merr analizat, po bëjmë hetimin

 

Ani Binaj, drejtori i AKU-së ka dhënë një prononcim për mediat për rastin e 30 fëmijëve polakë të helmuar që u paraqitën sot në spitalin e Vlorës.

“Nuk jemi ne që pyesim, pyesin autoritetet, ne po ndjekim gjërmueshmërinë në punën tonë. Unë erdha me urgjencë për t’u marrë me këtë situatë. Jemi duke koordinuar me autoritetet këtu për të menaxhuar situatën. Kur të kemi të dhëna do bëjmë njoftim.’- tha drejtori i AKU-së.  

Ora 20:45
Helmimi i turistëve polakë në Vlorë, drejtoresha e urgjencës: Erdhën me autobus nga Shkodra, shkak mund të jetë edhe ekspozimi në diell

 

Lorena Arapaj, drejtoresha e urgjencës në Vlorë u shpreh se shkak i fëmijëve të helmuar nga Polonia mund të ketë qenë edhe ekspozimi në diell.

“Aktualisht kemi 20 deri në 25 dhe diku 6-7 të rinj në repartin e pediatrisë. Mendojmë se këta fëmijë janë nisur nga Shkodra, mund të ketë qenë ekspozimi i tepërt në diell ose ndonjë ushqim që kanë ngrënë gjatë rrugës.

Për momentin nuk kemi informacion nëse do të i vijnë të tjerë, janë stabël.”- tha Arapaj.

Ora 20:38
Drejtoresha e spitalit të Vlorës: Janë 20 fëmijë polakë të moshës rreth 15 vjeç, gjendja tyre është e mirë

 

Drejtoresha e spitalit, Bruna Mersini është prononcuar për mediat për helmimin e 20 fëmijëve polakë që u paraqitën në spitalin e Vlorës.

“Fëmijët janë të moshës 14 dhe 15 vjeç. Fëmijët kanë udhëtuar gjithë ditën, kanë ardhur nga Shkodra pas udhëtimit kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastroindestrinale situata është nën kontroll. Pra është alerti që ne i japim situatës kur janë shumë fëmijë. Është hetim epidemiologjik. Këta janë fëmijë, edhe vapa mund ta ketë shkaktuar situatën, pa u bërë hetimi nuk japim dot të dhëna. Janë rreth 20 fëmijë.”- tha Mersini.