Heqja e dinarit, serbët në veri të Kosovës shpërndajnë fletushka ku bëhet thirrje për rezistencë! Policia nis hetimet për nxitje të urrejtjes

Heqja e dinarit, serbët në veri të Kosovës shpërndajnë fletushka ku bëhet thirrje për rezistencë! Policia nis hetimet për nxitje të urrejtjes

Policia e Kosovës tha se po heton shpërndarjen e disa fletushkave në veri të Kosovës që bëjnë thirrje për rezistencë, një ditë pas protestës së organizuar nga grupe serbësh kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në të gatshme.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani i tha Zërit të Amerikës se pas këshillimit me Prokurorinë Themelore dhe atë të Posaçme janë hapur hetimet për veprën “thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”. Ai tha se fletushkat janë shpërndarë gjatë protestës së një dite më parë dhe deri tani nuk ka ndonjë të dyshuar apo të arrestuar.

Në fletushkat e nënshkruara nga “Mbrojtja Popullore” udhëzohen qytetarët serbë se si të veprojnë kur hasin në njësitë policore. Aty kërkohet që pjesëtarët e policisë së Kosovës të qëllohen me mjete të ndryshme, të ofendohen ndërsa jepen edhe udhëzime për përgatitjen e shisheve me benzinë të njohura si koktej molotov.

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bien pre e provokimeve të tilla. Ky subjekt tha se fletushkat që bëjnë thirrje për “rezistencë ndaj policisë së Albin Kurtit”, janë kundër paqes dhe duken me qëllim të keq për destabilizimin e mëtejshëm, në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme.

Lista Serbe tha se populli serb në Kosovë do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në këtë rajon me metoda paqësore.

Grupe qytetarësh serbë protestuan të hënën në Mitrovicën e Veriut kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb ndërsa i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi autoritetet në Prishtinë për anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me një shkurt, sipas të cilit euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës tha se do të lehtësojë qasjen në institucionet financiare për serbët e Kosovës dhe synon këtë ta bëj në periudhë jo më shumë se tre muaj.

Vendimi i Bankës Qendrore ka nxitur reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thonë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë qeverisë së Kosovës të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore dhe çështja të diskutohet në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025