Heqja e lapidarit, Kosova: U shkelën
të drejtat, provokim qyqar i Serbisë

Heqja e lapidarit, Kosova: U shkelën <br />të drejtat, provokim qyqar i Serbisë
KOSOVE - Presidenca dhe Qeveria e Kosovës kanë dënuar ashpër heqjen e dhunshme të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, raporton RTK.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi.

Në njoftimin për media të Presidencës thuhet se “heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës bën thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

“Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”.

Ndërkohë që qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur indinjatën e saj të thellë për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviçit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët, thuhet në njoftimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës.

Më tej Qeveria e Kosovës thekson se “ky veprim jocivilizues i qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë.

“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, përfundon komunikata.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit