Në 72 orë u thanë të gjitha. U tha se Veliaj po fut qytetin në kolaps, po e mban peng atë, do lëri njerëzit pa rroga e të tjera histori si këto. Ndërsa sot alibia ra, Veliaj firmosi nga paraburgimi, gjithë retorika se qyteti do mbahej peng iku si me dorë.

Ka një përpjekje të dëshpëruar për ta shitur firmën e Erion Veliajt nga paraburgimi si presion ndaj Gjykatës së Lartë. Është një narrativë komode. Aq komode, sa harron faktin më të madh të kësaj historie: nuk është Veliaj ai që ka futur Tiranën në një ngërç institucional; ngërçi është krijuar nga një sistem që nuk ka ditur të ndajë paraburgimin nga mandati politik.

Në 72 orët e fundit, një firmë për listëpagesat, një vendim për Alban Dokushin dhe tërheqja e delegimit për Anuela Ristanin janë trajtuar sikur përbëjnë një grusht shteti administrativ. Në të vërtetë, kanë prodhuar efektin e kundërt, kanë rrëzuar alibinë se Veliaj duhet të qëndrojë në paraburgim ndërsa Bashkia improvizon me drejtues të përkohshëm. Nëse një kryetar bashkie, i zgjedhur me votë, vazhdon të ushtrojë kompetenca që burojnë nga mandati i tij, atëherë problemi nuk është firma. Problemi është pse një qytet me afro një milion banorë është lënë në një zonë gri, ku çdo akt administrativ interpretohet sipas interesit politik të ditës.

Paradoksi është grotesk. Kur Veliaj firmos, thuhet se po intimidon drejtësinë. Po të mos firmoste, të njëjtët do të thoshin se Bashkia është pa drejtim. Pra, çfarë kërkohet në të vërtetë? Që ai të mbajë mandatin vetëm si dekor, ndërsa pushteti i tij të shpërndahet sipas rrethanës politike.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është administrim i pasigurisë.

Gjykata e Lartë nuk duhet të vendosë nën zhurmën e studiove televizive që numërojnë firmat si prova faji. Ajo duhet të shohë faktin juridik: një mandat i fituar me votë nuk pezullohet nga interpretimet politike, ndërsa vetë administrata vazhdon të prodhojë akte që tregojnë se boshllëku institucional nuk është zgjidhur.

Në fund, firma nuk rrëzoi autoritetin e Gjykatës së Lartë. Rrëzoi një alibi shumë më të dobishme për kundërshtarët e Veliajt, se Tirana mund të mbahej në një gjendje pezull, ndërsa përgjegjësia për këtë pezullim t'i faturohej vetë atij.

E vërteta vërteta është më e thjeshtë: nuk është firma që i bën presion drejtësisë. Është absurdi i një kryeqyteti që vazhdon të administrohet nën hijen e paraburgimit, ndërsa të gjithë bëjnë sikur problemi është stilolapsi dhe jo sistemi.