TIRANË-Rritja e çmimit të naftës po vë në vështirësi transportin publik. Shoqatat e transportit urban dhe interurban paralajmërojnë se nga 1 shtatori do të reduktojnë me 20 deri në 30% flotën e autobusëve në qarkullim, pasi thonë se nuk mund të përballojnë më kostot.

“Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion”, thonë shoqatat.

Në letrën drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave, shoqatat thonë se prej kohësh kërkojnë kompensimin e kostove të karburantit, por ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, çmimi i lartë i naftës dhe shpenzimet e tjera kanë rënduar financat e operatorëve, duke e bërë të pamundur funksionimin me të gjithë flotën.

Shoqatat paralajmërojnë se do të ketë më pak mjete në qarkullim, pritje më të gjata në stacione dhe mbingarkesë të autobusëve që do të vijojnë shërbimin.

“Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik”, thuhet në letër.

Operatorët i kërkojnë institucioneve të ndërhyjnë dhe të realizojnë kompensimin e parashikuar për kostot e karburantit. Ata thonë se reduktimi i flotës nuk është zgjedhje, por pasojë e pamundësisë financiare për të vijuar shërbimin me kapacitet të plotë.

“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, thuhet në letër.

Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.

Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë, qytetarët pritet të përballen me më pak autobusë në linja, pritje më të gjata dhe mbingarkesë më të madhe, veçanërisht në oraret e pikut.

Letra e plotë

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në përfaqësim të operatorëve të transportit publik, ju bëjnë me dije se situata financiare e operatorëve ka arritur në një nivel tejet të vështirë, duke ndikuar drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për të vijuar ofrimin e shërbimit me kapacitet të plotë.

Pavarësisht kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme të adresuara pranë institucioneve përgjegjëse lidhur me kompensimin e kostove të karburantit, operatorët vijojnë të përballen me mosrealizimin e kompensimit, ndërkohë që për një pjesë të kërkesave dhe problematikave të ngritura nuk është dhënë ende një përgjigje apo një zgjidhje konkrete institucionale. Kjo situatë, е kombinuar me nivelin e lartë të kostos së karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve dhe mundësinë e tyre për të përballuar kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve.

Për këtë arsye, njoftojmë se duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion. Masa e reduktimit nuk përbën një zgjedhje të operatorëve dhe as një mungesë vullneti për garantimin e shërbimit normal të transportit publik. Ajo është një pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit. Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.

Në këto kushte, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë, të japin një përgjigje konkrete mbi kërkesat e paraqitura nga operatorët dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim. Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm. Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional.