Pas kryebashkiaku tërhoqi delegimin e kompetencave, ish-kryetarja e Komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, i ka paraqitur ka paraqitur Erion Veliajt dorëheqjen si nënkryetare e Bashkisë.

Përmes një reagimi publik, Ristani shprehet se e mbyll këtë kapitull me krenari, përulësi dhe mirënjohje për qytetin dhe njerëzit që e kanë shoqëruar gjatë kësaj periudhe.

Ajo sjell në vëmendje transformimin e Tiranës gjatë 11 viteve të fundit, duke kujtuar edhe kohën kur nisi të punonte në qytet, kur sheshi “Skënderbej”, sipas saj, “vetëm shesh nuk mund të quhej”.

Sot, vijon ajo, Tirana është kthyer në një pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, ndërsa cilësia që e dallon qytetin është, sipas saj, “ndjesia e mirë që të jep”.

Ristani shpreh mirënjohjen për bashkëpunëtorët dhe qytetarët, të cilët, sipas saj, kanë ndihmuar në thyerjen e paragjykimeve dhe stereotipeve ndër vite.

Në mesazhin e saj, ajo ndalet edhe te e ardhmja e kryeqytetit, duke theksuar rëndësinë që Tirana të shihet dhe të dashurohet si qytet i përbashkët.

Në fund, Ristani thekson lidhjen e saj të përhershme me kryeqytetin, pavarësisht historisë së saj personale.

Ristani e mbyll mesazhin duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, duke theksuar se largohet me “mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi”.

Reagimi i Anuela Ristanit:

Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.

Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.

Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.

Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.

Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.

Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi.

Faleminderit të gjithëve!

A.


Lajmi kryesor:

Bashkia e Tiranës në ngërç? Veliaj do të firmosë nga qelia, s’delegon kompetencat! PD i kërkon sqarime Këshillit! Pas shkarkimit, Ristani dorëhiqet si nënkryetare