FOGGIA, Itali - Policia italiane ka arrestuar një grup trafikantësh, të cilët merreshin kryesisht me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe grabitje me dhunë.
Gjatë këtij operacioni është arrestuar për të dytën herë shqiptari nga Tirana, 35-vjeçari Leonard Tresa dhe bashkëshortja e tij 30-vjeçare Luciana Michela Cavallo, thuhet në deklaratën e komandës provinciale të Fogia-s.
Të arrestuarit ishin pjesë e trafikut të lëndëve narkotike në qytete të ndryshme të Italisë, dhe kreu i bandës kriminale ishte shqiptari, i cili është arrestuar edhe në vitin 2009 në Pescara.
Policia italiane ka sekuestruar edhe vilën e shqiptarit, të cilën e kishte blerë falë fitimeve të majme që arrinte nga trafiku ndërkombëtar i heroinës, që trafikohej direkt nga Shqipëria.
Por, Tresa gjithashtu kishte një bazë operacionale në San Severo si dhe një bashkëpunëtore, Rosalia Fasullo, e cila kujdesej për trafikimin e drogës nga njëri qytet i Italisë në tjetrin.
Shqiptari Leonard Tresa realizonte shpërndarjen e sasisë më të madhe të drogës, ndërsa të arrestuarit e tjerë shpërndanin heroinë, kokainë dhe hashash.

"Kamuflimi" i drogës
Urdhrat për shpërndarjen e drogës jepeshin nëpërmjet telefonit, ku asnjëherë nuk përmendej fjala drogë, por flitej për këmisha të bardha ose të zeza (kokainë dhe heroinë) birrë, verë dhe pantallona.

(ar/shqiptarja.com)