Heronjtë e një lufte të gabua

Heronjtë e një lufte të gabua
Duke i kërkuar falje atyre që mund të më konsiderojnë si cinik, më duhet të them se sulmi vdekjeprurës ndaj dy komandove shqiptarë në Afganistan ishte sa hidhërues aq edhe i pritshëm; me mëse tetë vjet historik të dërgimit të trupave nëpër zona të nxehta si Bosnja, Iraku e Afganistani, fatkeqësisht kjo humbje ishte statistikisht (por jo logjikisht) e paevitueshme. Përtej retorikës mallëngjyese që do të dëgjojmë në ditët në vijim dhe propagandës që do justifikojë humbjen e jetëve me detyrimet që Shqipëria ka duke qënë se është një anëtare e NATOs, duhet thënë se misioni i Afganistanit ka qënë një dështim i pashprehur për aktorët kryesorë që e ndërmorën, por edhe për figurantë në sfond si puna e Shqipërisë.

Nga vetë natyra e rezistencës afgane të drejtuar nga Talibanët, apo edhe situatës në të cilën ndodhen politikisht dhe ekonomikisht iniciatorët e luftës, shpresat që Afganistani të gjejë paqe në një të ardhme të afërt janë thuajse nul, dhe trazirat në Pakistanin fqinj apo në rajonin e trazuar nga tensioni Pakistan – Indi nuk premtojnë për ndonjë zgjidhje të shpejtë të situatës. Që prej fillimit të operacionit Enduring Freedom në vitin 2001, afro 2900 ushtarë të koalicionit kanë humbur jetën në luftimet me Talibanët dhe grupe të tjera të rezistencës, teksa Presidenti Obama qysh në Gushtin e vitit të kaluar deklaroi fillimin e procesit të tërheqjes së trupave amerikane, që do të përfundojë në vitin 2014. Po ashtu, vende si Franca, Italia, Kanadaja e Australia kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat, duke mos parë asnjë mundësi reale që vendi e rajoni të qetësohen. Në mes të kësaj zallamahie gjeopolitike e ushtarake, trupat shqiptare dhe prania e tyre në Afganistan janë tërësisht të pajustifikueshme. Duke marrë parasysh faktin që Afganistani konsiderohet sot si një ndër vendet më të rrezikshëm në planet, si dhe koston njerëzore e financiare që ka prania e trupave tona aty, qeveria shqiptare duhet të gjejë një arsye më të mirë se sa ‘anëtarësimi në NATO’ për të justifikuar jetët e humbura maleve të Afganistanit. Nuk duhet të harrojmë që disa vende anëtare të NATOs i kanë tërhequr tashmë trupash (si Hollanda, qysh prej 2010-ës) apo janë mjaftuar me mbështetje financiare apo materiale, pavarësisht detyrimeve të imponuara nga aleanca veri-atlantike.

Ajo ç’ka nevojitet të ndodhë pas kësaj ngjarje të kobshme është një rivlerësim strategjik dhe realist i prezencës ushtarake shqiptare jo vetëm në Afganistan por edhe në Irak. Sigurisht që kjo është kryesisht një detyrë dhe prerogativë e strukturave të specializuara drejtuese të ushtrisë shqiptare dhe domosdo e kastës politike që angazhohet ndërkombëtarisht dhe merr vendime, po në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe subjekt i opinioneve dhe ndjesive të popullatës, fëmijët e së cilës dërgohen të luftojnë për të mbajtur lart nderin dhe lavdinë e kombit, apo edhe thjesht në mënyrë që qeveria të përmbushë detyrimet në sytë e partnerëve ndërkombëtarë që ata të mos bezdisin për ç’ka ndodh këtu brenda. Kjo pasi lavdinë që “Shqipëria përfaqësohet me nder në misionet paqeruajtëse në botë” nxitojnë ta marrin shumë, por përgjegjësinë dhe hidhërimin e kobshëm të humbjes së jetës vështirë se do e marr njeri mbi shpatulla.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'