Protesta "Flamingo" nuk besoj që është një kryengritje jakobine! Besoj shumë që kjo është një lëvizje popullore, pa dallim ideologjik apo social, që kërkon ndryshimin e establishmentit të korruptuar politik të këtyre 35 viteve, por kurrë një gijotinë.
Rama e Berisha janë pjesë e gjellës që e gatuam të gjithë bashkë, në interesat tona momentale, duke harruar që llumi një ditë do të na mbulonte të gjithëve. Të gjithë janë fajtorë dhe aktorë në ndërtimin e një shoqërie të deformuar, jo vetëm politikanët, por edhe populli.
Fakti që sot gjithkush vjell kundër kujtdo që e ka koleg, komshi, fytyrë të njohur, kundërshtar ideologjik, që e ka antipati se e ka parë rrugës shtrembër, pa filtruar fare arsyetimin e tij, tregon që mund të shkohet drejt një ndryshimi pa ndryshim.
Në protestë kam parë demokratë e socialistë të të gjitha llojeve. Shumë mirë që janë aty, të gjithë duhen. Vetëm bandat e kapuçonëve në shesh dhe vrasësit anonimë në rrjetet sociale nuk duhen; nga të dy krahët, ata duan ta mbulojnë me mut çdo frymëmarrje idealiste, sepse vetëm kështu mbijetojnë përsëri.
Edhe mllefi i foltores, sado i drejtë qoftë, nuk duhet të prodhojë Robespierre apo Marat, por kulturë arsyetimi, ndryshim institucional.
Askush nuk e ka forcën t'ia presë kokën Luigjit XVI. Ndaj, miq e armiq të njëri-tjetrit, demokratë e socialistë, ballistë a komunistë, "Flamingo" duhet të jetë sheshi i arsyetimit, i ndryshimit të gjithkujt, edhe të Liderit Suprem, ndoshta!
Në të kundërt, jakobinizmi nuk do të jetë kurrë një zgjidhje dhe mllefi do të jetë humbja përfundimtare, kaosi përfundimtar.
Lëvizja duhet patjetër të dalë me një grupim dhe një paketë kombëtare ndryshimi, gjë që shpresoj të jetë në mendjet e organizatorëve. Vetëm atëherë do të jetë inspirim për të ardhmen.
Vajza në foto duket si Zhan D'Ark, por veç pamjes së bukur, kjo 17-vjeçare, fshatare, duhet të arsyetojë, të ndërtojë! Pambuku godet më fort se plumbi!... Amin!

Komente








