Hervin Çuli: Pse e largova veten
nga bordi i Teatrit Kombëta

Hervin Çuli: Pse e largova veten<br />nga bordi i Teatrit Kombëta
TIRANE- Ligji për Teatrin parashikon që “drejtori vetëm e organizon mbledhjen e bordit, por në fakt nuk është anëtar i bordit”. Kështu shprehet drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, për “Shqiptarja.com” pas mbledhjes së parë të bordit të sapongritur të Teatrit Kombëtar. Ky ligj prej vitesh nuk është respektuar, sepse ka ndodhur që drejtuesi i mëparshëm i TK ka qenë edhe kryetar i bordit. Ndërkohë, të qenit korrekt me ligjin, drejtorit aktual të Teatrit Kombëtar, Hervin Çulit, nuk i mjafton për të çuar deri në fund platformën e tij reformuese. Ai shprehet se ligji “ka handikap”.

Ka propozuar dhe ka këmbëngulur në idenë e tij; që Teatri Kombëtar të ketë edhe drejtorin artistik përveç administratorit aktual. Por ndërsa kërkon t’i rrijë sa më besnik platformës, realiteti e ndesh me dukuri frenuese. Gjithsesi, Çuli duket se ka gjetur një mënyrë për t’i sfiduar barrierat. Por, si do t’i rikuperoj borxhet dhe kur do të vijë ora që të ngjiten në skenë premiera të reja; çfarë do të bëhet për zhvillimin e dramës shqipe. Drejtori  Teatrit Kombëtar Hervin Çuli iu jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve në intervistën e mëposhtme:
 
 Zoti Çuli, sapo keni ngritur bordin e Teatrit Kombëtar. Në ç’mënyrë u krijua, si do të funksionojë dhe cilat janë perspektivat e punës së këtij bordi?
 -Në fakt, para dy ditësh u bë mbledhja e parë e këtij bordi. Ishte një bord që u miratua nga Ministria e Kulturës, ku ka pjesëtarë të medias, të librit, etj. Ju e dini që në bord është Preç Zogaj një nga shkrimtarët dhe personazhet më të njohur në Shqipëri. Është në bord gjithashtu biznesmeni dhe njeriu i librave Artan Santo. Është gazetarja e kulturës Elsa Demo. Gjithashtu në bord është edhe një pedagoge gazetare, tashmë edhe dramaturge, Jonila Godole, si dhe Përparim Kabo një nga kritikët më të njohur të artit shqiptar.

Në përbërje të bordit është edhe Milena Selimi si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës për mediat, dhe një përfaqësues i financave nga MK. Pra, është një bord prej 7 vetash. Në ngritjen e bordit jam përpjekur të bëjë atë që duhet në zbatim të ligjit. Realisht ligji parashikon që drejtori vetëm e organizon mbledhjen e bordit, por në fakt nuk është anëtar i bordit. Edhe pse ky është një handikap, unë jam detyruar të zbatojë ligjet. Veprova në të kundërt të mënyrës sesi ishte operuar më përpara kur drejtori i Teatrit Kombëtar në shkelje të ligjit ishte kryetar i bordit të teatrit kombëtar.
 
Pra, ju keni bërë diferencën në ngritjen e bordit të ri?
-Kjo është diferenca se unë ndryshe nga drejtuesi i mëparshëm kam zbatuar pikë për pikë ligjin për artin dhe kulturën. Mbas këtij ligji kam zgjedhur dhe pastaj m’u aprovua nga MK një bord me njerëz të cilët të mos kenë asnjë interes të drejtpërdrejtë me aktorët me veprat që do të vihen në skenë në Teatrin Kombëtar. Pra të mos ketë asnjë lloj konflikti interesi.
 
 Për cilat pika të ligjit ju mendoni se është krijuar një handikap?
-Një nga pikat e para të ligjit për të cilat unë kam rezerva është pikërisht kjo: duhet të vijë momenti që ose të jetë një bord këshillimor, ose të mos ekzistojë fare, sepse bota njeh udhëheqësin artistik. Kjo është një nga idetë që e kam hedhur edhe në propozimin tim si drejtor i Teatrit Kombëtar; duhet të fillojë të funksionojë institucioni i drejtorit artistik. Pra duhet të ketë një drejtor të përgjithshëm dhe një personalitet që duhet të jetë drejtori artistik i këtij institucioni. Në këtë mënyrë funksionojnë të gjitha teatrot e botës. Pra përgjegjësi për sukseset dhe dështimet në Teatrin Kombëtar t’i ketë drejtori artistik, që fund së fundit është njeriu që duhet t’i jap fizionominë Teatrit Kombëtar.
 
Çfarë dobie sjell kjo?
-Unë kam biseduar hapur me të gjithë anëtarët e bordit. Dhe sinqerisht jam i lumtur që gjeta një fidbek. Ramë në një kompromis shumë pozitiv dhe gjëja më rëndësishme që ne mund të debatojmë është ajo që ka lidhje me repertorin e vitit të ardhshëm që do të fillojë nga shtatori në qershorin e vitit tjetër. Prandaj bordi do të jetë një instrument presioni pozitiv mbi regjisorët për performanca sa më të mira të Teatrin Kombëtar.
 
Kemi vënë re se në këtë liri shprehjeje teatrore, ka mjaft probleme me dramaturgjinë shqipe, në mënyrën e konceptimit, tekstet…
 -Edhe kjo ishte një pjesë e diskutimit që u bë në bord dhe ne jemi në pritje të një takimi mbarëkombëtar të dramës shqipe, ku do të jenë të ftuar dramaturgë nga Kosova dhe Shqipëria për rrugën që do ndjekim për evidentimin e veprave më të mira të dramaturgjisë shqipe. Një hap konkret është që në datën 16 ose 17 prill do krijojë komisionin e leximi. Veprat më të mira të përzgjedhura do t’u shpërndahen autorëve të Teatrit Kombëtar në Natën e Leximit të Dramës Shqipe. Leximi do të jetë i hapur për mediat dhe kamerat dhe ne do të evidentojmë se kush me të vërtetë janë dramat shqipe që meritojnë të ngjiten në skenë.
 
Le të kthehemi te mënyra sesi i keni sfiduar ju borxhet e pashlyera të premierave të kaluara, ndërkohë që ju nevojiten të ardhura për të ngjitur premiera të tjera në skenë?
-Pjesa e borxhit është një problem shumë i madh, por në këto kushte jam i detyruar të vazhdojë të punojë. Përveç borxheve që teatri ua ka stafeve artistike, ku më problematikët janë aktorët e jashtëm të cilët mirë që kanë punuar në punë të zezë, por kanë shifra të palikuiduara dhe unë jam i detyruar t’i likuidojë, një nga informacionet e para është që unë kam pasur katër vende të lira në teatër. Kështu kam futur katër djem dhe vajza të reja; Eftiola Laçkën, Lulëzim Zeqon, Ervin Bejlerin dhe Florian Agalliun. Të katër këta kishin një borxh me Teatrin Kombëtar, si pjesë e dy projekteve që aktualisht ka Teatri Kombëtar dhe kanë bërë një rikonceptim kontrate. Borxhin e tyre do ta likuidojë duke qenë pjesë nëpërmjet pagës. Ngrita këtë mekanizëm, sepse ata djem e vajza të rinj nesër mund të bëhen kolonë e institucionit.
 
Pra, vijon puna me paga fikse në Teatrin Kombëtar?
-Po do të vazhdojë të jetë me paga fikse, por jo me kontratat të përjetshme, pra me kontrata të caktuara me karakter sezonal. Katër individëve të rinj u kam bërë kontrata tremujore. Pastaj pas tre muajsh ata, nëse do të fitojnë audicionin, do të futen sërish në punë...
 
Çfarë rruge keni zgjedhur për të mbajtur “gjallë” Teatrin Kombëtar me shfaqje që nga koha e drejtimit?
-Unë thashë që programacioni i teatrit është nul. Kjo dhe për faktin se njëra nga premierat e mëparshme “Edipi Mbret” ka një rezaurim të shfaqjeve të fundit. Është shumë e vështirë në bilancin që kanë aktorët e jashtëm me aktorët e brendshëm për ta ringjitur në skenë. Është edhe “Ëndrra e një nate vere”, e cila ka një sasi shfaqjesh që duhet të reformohet dhe me të do të shkojmë në një festival. Për ta mbajtur institucionin me premiera unë kam qenë shumë i hapur dhe kam ftuar teatrin e iniciativës së lirë dhe gjatë gjithë kësaj kohe në çdo fundjavë në teatër kam pasur shfaqje që kanë qenë pjesë e iniciativës së lirë dhe me sakrificat e atyre.
 
 Ka një statistikë sa ka qenë fluksi i publikut në TK gjatë drejtimit tuaj?
-Teatri për sa i përket fluksit të publikut vitin që kaloi ishte një skandal i paparë. Edhe pse në vitin 2012 ka pasur 11 mijë spektatorë prapë ishte i ulët, por në 2013-n pati një rënie të paparë. Momentalisht jemi duke u përpjekur që të ringremë frymën e munguar; që nis me ngrohjen e teatrit, një problem shumë i madh, etj. Kemi pasur një frekuentim të mirë, jo ekselent, por të mirë me një statistikë 250 spektatorë në natë, që nuk është keq. Por vitin tjetër unë premtoj një nivel spektatori akoma në ngjitje.
 
Teatri Kombëtar iu ka borxhe edhe aktorëve të ndjerë Roland Trebicka dhe Fatos Selës, të cilët deri në momentet e fundit të jetës nuk iu ndanë skenës. Keni një nismë personale për të rikuperuar atë që kanë bërë drejtuesit e mëparshëm ndaj tyre?
-Unë jam më momentin që po pres hapjen e vërtetë të buxhetit, sepse janari, shkurti, marsi ishte një buxhet aq i pjesshëm saqë nuk përballohen as pagesat utilitare dhe janë të domosdoshme si drita uji, etj. Borxhi ndaj tyre është një turp i ngelur në Teatrin Kombëtar. Ata nuk e morën dot shpërblimin për mundin sa ishin gjallë, por unë do të ndihmojë që familjet e tyre ta konsiderojnë së paku marrjen e këtij kontributi pas vdekjes.
 
 Çuli: Ju ftoj të dielën të shihni gratis “Loja e dashurisë dhe rastësisë”
 “Loja e dashurisë dhe rastësisë”, një shfaqje me regjinë e drejtorit aktual të Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, pasi korri sukses në Durrës u ngjit këto ditë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar. I pyetur se “Nëse në momentin që e solli në institucionin që drejton këtë premierë, a pati një lloj shqetësimi për reagime të tilla ‘se drejtori ngjit në skenë shfaqjen e tij’”?, Hervin Çuli përgjigjet për “Shqiptarja.com” se: “Unë e kam menduar, por kam menduar edhe atë tjetrën; se nuk mund t’ia mbyll rrugën vetes sime si regjisor, sepse produksioni është i Universitetit Europian të Tiranës me Ambasadën Franceze.

Pra unë jam vetëm regjisor i kësaj premiere. Dhe që t’ia hapja dyert kujtdo dhe t’ia privoja vetes sime, është pak e tepërt. Mua 7 vjet m’u mbyll dera e Teatrit Kombëtar dhe që 4 vjet të tjera të mos kem asnjë perfomancë do ishte e tepërt se i bie që unë të zhdukem si krijues. Kjo shfaqje falë zotit doli e mirë. Pas Durrësit i dhashë një mundësi UET dhe Ambasadës Franceze që vepra të ballafaqohet me publikun e Tiranës. Meqë vepra pati një rrezonin të shkëlqyer për publikun, kjo është transparente.”. Pas kësaj përgjigjeje Hervin Çuli i bënë publikut një ftesë për shfaqjen gratis ditën e diel më 24 mars, me rastin  e Muajit të Frankofonisë. Çuli na njofton se premiera “Loja e dashurisë dhe rastësisë” me regjinë e tij do të ngjitet në skenë këtë fundjavë më 22, 23 dhe 24 mars.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)