TIRANE- Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë pritet të merren në pyetje nga prokuroria gjatë muajit shtator. Kjo, sipas akuzës, përkon me rikthimin nga pushimet e gushtit. Lajmi konfirmohet nga burime pranë njësisë hetimore Task-Forcë, të cilat thanë se të gjithë anëtarë e Këshillit të BSH do të merren në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi ngjarjen lidhur me nxjerrjen e vendimeve dhe rifreskimin e rregulloreve që normonin sigurinë e brendshme në Departamentin e Emisionit.

Sipas akuzës, anëtarët do të pyeten dhe për detaje të tjera, duke filluar nga kontrollet për respektimin e rregulloreve ose jo, deri tek mungesa e një auditi të brendshëm në qëndrën e Thesarit të Shtetit, që ndodhet në Linzë.

Për këtë ngjarje janë pyetur shumë punonjës të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që 10 prej tyre janë arrestuar nga njësia hetimore Task-Forcë. Mes të arrestuarve është dhe burri i mbesës së guvernatorit Fullani, Dorian Çollaku, i cili, sipas akuzës, ka shpërdorur detyrën, duke mos nxjerë një sërë aktesh juridike që do të rregullonin sigurinë e kasafortave ku ndodheshin paratë e shtetit shqiptar.