TIRANE - Hetimet për zbulimin e pasurisë të ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, pritet të shtrihen jo vetëm në shqipëri por edhe jashtë kufinjve të saj, pikërisht në dy shtete të BE. Burime pranë prokurorisë së Tiranës thanë se në kallëzimin e ardhur nga ILDKPI, janë evdindetuar disa pasuri dhe llogari bankare jashtë shtetit. Për pasojë marrja e një konfirmimi për këto pasuri, nevojit të dërgohet dy letërporosi në dy shtete, ku Bode mendohet se disponon pasuri. Këto pasuri, sipas prokurorisë mendohet se janë në emër të bashkëshortes së ish-ministrit të Financave Jola Xhafo, dhe se pasuria është vendosur gjatë periudhës kur ata kanë qënë në bashkëjetesë dhe jo në martesë.

Lidhur me këtë pasuri, ILDKPI ka ftuar për të dëshmuar ish-ministrin Bode, por ai nuk ishte paraqitur disa herë. Ndërkohë që sipas Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Ridvan Bode rezulton të jetë një nga politikanët shqiptarë më të pasur në Ballkan, por që pasuria nuk është në emër të tij, por në emër të bashkëshortes. Padia ndaj Bodes u bë një muaj më parë nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Ai akuzohet për refuzim dhe deklarim të rremë të pasurive.